Iku nga Shqipëria në eksodin e ’90-ës, Adriatik Shino kthehet në Konispol si ish-diplomat dhe ndërmjetëson dhurimin e një zjarrfikëse nga Çekia

Pas një vere të vështirë, ku zjarret shkaktuan dëme të konsiderueshme në territorin e Bashkisë Konispol dhe në gjithë rajonin e Sarandë–Delvinës, Bashkia Konispol është bërë përfituese e një automjeti zjarrfikës dhuratë nga Republika Çeke.
Kjo dhuratë përfaqëson një akt të çmuar humanitar dhe solidariteti ndërkombëtar, i cili vjen si reagim ndaj situatës së krijuar nga fatkeqësitë natyrore që goditën njësitë vendore të jugut të vendit gjatë muajve të verës.
Falë këtij kontributi, kapacitetet operacionale të shërbimit zjarrfikës në Bashkinë Konispol do të përmirësohen ndjeshëm, duke rritur gatishmërinë dhe reagimin në kohë ndaj emergjencave.
Një element i veçantë i këtij akti solidariteti është fakti se ndërmjetës për realizimin e dhuratës ka qenë Adriatik Shino një ish-diplomat çek me origjinë shqiptare, i cili është larguar nga Shqipëria gjatë eksodeve të vitit 1990. Me përkushtim dhe ndjeshmëri ndaj vendit të tij të origjinës, zoti Shino ka luajtur një rol kyç në mundësimin e kësaj ndihme, duke dëshmuar se lidhjet njerëzore dhe vlerat e solidaritetit nuk njohin kufij apo kohë.
Në emër të komunitetit të banorëve të Bashkisë Konispol nënkryetari i kësaj bashkie Julian Lako shprehu mirënjohjen e thellë ndaj autoriteteve të prefektures Pardubise në Republikën Çeke dhe ndërmjetësit të këtij gjesti ish-diplomatit Adriatik Shino për mbështetjen e treguar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve mike në fushën e mbrojtjes civile dhe menaxhimit të emergjencave.
Ky akt human shënon një shembull të shkëlqyer të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe një dëshmi se ndihma dhe solidariteti janë vlera që forcojnë lidhjet mes popujve dhe kontribuojnë në mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Dhurata e automjetit zjarrfikës pritet të forcojë ndjeshëm kapacitetet e emergjencave civile në territorin e Bashkisë Konispol, duke rritur aftësinë për reagim të shpejtë ndaj fatkeqësive natyrore dhe duke përmirësuar sigurinë e komuniteteve lokale.
Në këtë kuadër, nënkryetari i bashkise Julian Lako krahas mirënjohje të veçantë ndaj shtetit çek në fushën e mbrojtjes nga zjarret dhe menaxhimit të emergjencave, ka theksuar se ky akt human përbën një shembull të qartë të bashkëpunimit dhe solidaritetit përballë sfidave natyrore, për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Kjo ndihmë humane vjen pas dhurimit më parë të një pakete tjerë ndihmash që përfshinte një autoambulance dhe 22 kompjutera, që kanë fuqizuar bazën logjistike në Bashki dhe në disa Njësi Administrative të Konispolit.
Kjo dhuratë nga miqtë çekë, e ka çuar në dy, numrin e mjeteve zjarrfikës në Bashkinë Konispol, duke bërë që ekipi i emergjencave të jetë më i mbështetur për të përballuar me inventar të fuqizuar zjarret, siç ishin ato të verës së këtij viti. Bashkia Konispol mbulon me shërbim zjarrfikës 16 fshatra, duke nisur nga fshati Vrinë, në kufi me Butrintin, deri në fshatrat Janjar e Vërvë, në thellësi.
//Nga Engjëll Serjani