“I ka nxjerr në pritë”, ish-kryetari i Gjykatës trondit me deklaratën për shefin e Operacionales: Oltion Bistri u shkonte në shtëpi gjyqtarëve dhe i kërcënonte

Alaudin Malaj, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, ka bërë një deklaratë tronditëse në lidhje me ish-shefin e arrestuar të Forcës së Posaçme Operacionale, Oltion Bisti. Ai thotë se ky zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, ka nxjerr në pritë njerëzit e drejtësisë.
Aktualisht, Oltion Bistri ndodhet pas hekurave sepse është arrestuar nga SPAK, pas zbardhjes së përgjimeve të grupeve kriminale dhe rezultoi se ishte përfshirë në shumë ngjarje.
I ftuar mbrëmjen e djeshme në studion e emisionit “Quo Vadis” në Vizion Plus, Alaudin Malaj ka komentuar vrasjen e kolegut të tij Astrit Kalaja në sallën e gjyqit dhe ka deklaruar se shefi i Operacionales ka qenë “monstra e gjyqësorit”.
“Pse po ndodhin këto fenomene tani?! Gjyqtarët kërcënohen gjithmonë. Ne kemi pasur Oltion Bistrin. Monstra e gjyqësorit. Kërcënonte gjyqtarët, shkonte nëpër shtëpi.
Janë të regjistruara të gjitha çështjet, ka nxjerrë në pritë njerëzit e drejtësisë. Nuk e heton njeri. I dhanë dhe lekët, se kishte blerë disa prona te syri i Tiranës, i kthyen dhe lekët”, është shprehur Alaudin Malaj.
Në Qershor 2025, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar togave të zeza me kërkesë për dënimin me burgim të shtatë anëtarëve të dosjes “Metamorfoza 2”. Bëhet fjalë për ish-zyrtarë të lartë të shtetit dhe anëtarë të grupeve kriminale me qendër në Shkodër.
Behar Brahovic – 15 vite burg;
Pëllumb Gjoka – 14 vite burg;
Edmond Preka – 11 vite burg;
Asmer Bilali – 10 vite burg;
Oltian Bistri – 9 vite burg;
Ardit Hasanbegaj – 9 vite burg;
Xhevair Lita – 6 vite burg.
Të gjithë këtë shtetas akuzohen për disa vepra të rënda penale, si vrasje, korrupsion, sigurim i kushteve për të kryer vrasje, etj. I pandehuri Oltion Bistri, akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.