I dërguari i Donald Trump “sulmon” BE-në për Hashim Thaçin: Keni dështuar! Do i them t’iu padisë në gjykatë amerikane

I dërguari i Presidentit të SHBA për misione speciale, Richard Grenell, ka dalë sërish në mbrojtje të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Grenell përmes një postimi në rrjetin social “X”, ka thënë se Europa ka dështuar dhe nuk po reagon në lidhje me padrejtësinë që po i bëhet Hashim Thaçit i cili mbahet i izoluar në Hagë. Sipas Grenell, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të padisë Hagën në një Gjykatë Amerikane.
Richard Grenell për të disatën herë ka dalë kundër Hagës, BE-së, ndërsa përplasje ka pasur edhe me Presidenten e KE, Ursula Von der Leyen, të cilës i ka thënë se s’mund të japë leksione për forcim institucionesh kur Bashkimi Europian po bën padrejtësi ndaj Thaçit.
“Ka shumë arsye pse Europa po dështon. Por një shembull është numri i madh i politikanëve evropianë që heshtin për Hagën që mban një Kryetar Shteti në burg për 5 vjet pa gjyq. Dhe pastaj gjyqi zgjat më shumë vite. Është një sistem brutal arkaik i drejtuar nga elitat.
Kjo nuk është drejtësi. Dhe askush nuk duhet të marrë më kurrë këshilla gjyqësore nga një evropian. Shpresoj që Hashim Thaçi t’i padisë të gjithë në Hagë në një Gjykatë Amerikane kur të jetë jashtë – në fund të fundit, janë para të taksapaguesve amerikanë.”-shkruan Grenell.