Hasimja ia paraqet Berishës LIVE në televizion kandidaturën: Më konsidero, dua të jem kryetari i Bashkisë së Tiranës,

Pedagogu dhe analisti , Ermal Hasimja, një nga emrat e përfolur gjerësisht në media përgjatë ditëve të fundit, ka shpallur publikisht kandidaturën e tij për Bashkinë e Tiranës.
Gjatë një transmetimi live për Euronews Albania, Hasimja bëri të ditur se paraqet kandidaturën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
“Duke pasur këtë mundësi, unë po i drejtohem zotit Berisha dhe kryesisë së PD-së, si dhe forcave të tjera opozitare, duke ju paraqitur publikisht kandidaturën time për kreun e Bashkisë së Tiranës, me të njëjtat kritere që ai ka përcaktuar: kandidat i pavarur, pa logo specifike partie, i mbështetur nga shumica e opozitës”, tha Hasimja, duke theksuar më tej se kërkon mbështetjen e Sali Berishës dhe të partive opozitare.
Pjesë nga fjala e Ermal Hasimjas:
Me duket pozicioni logjik është që një opozitë e bashkuar të dalë me një kandidat të pavarur, i cili do të mbështetet nga një shumicë sa më e madhe e partive opozitare. Berisha ka kërkuar që edhe kandidatët e tjerë të shprehin dëshirat dhe ambiciet e tyre.
Duke pasur këtë mundësi, unë po i drejtohem zotit Berisha dhe kryesisë së PD-së, si dhe forcave të tjera opozitare, duke ju paraqitur publikisht kandidaturën time për kreun e Bashkisë së Tiranës, me të njëjtat kritere që ai ka përcaktuar: kandidat i pavarur, pa logo specifike partie, i mbështetur nga shumica e opozitës. Prandaj, zoti Berisha mund ta quajë kandidaturën time të paraqitur dhe ta shqyrtojë.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i partisë opozitare më të madhe në vend këtë të shtunë foli shkurtimisht për mediat, pas përfundimit të mbledhjes me dyer të mbyllura, ku Kryesia e Partisë Demokratike diskutoi lidhur me zgjedhjet e 9 nëntorit si dhe kandidaturat me të cilat do të shkojnë në këtë garë.
Për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike do t’i konsiderojë me seriozitetin më të madh kandidatët e pavarur në këto zgjedhje dhe se do të presë për ta edhe dy ditë.
“PD vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojmë me seriozitetin më të madh kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderohen të nevojshëm për fitoren e tyre, mbështetjen e PD. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë edhe forcat e tjera opozitare”, tha Berisha ndër të tjera.