Fshati piktoresk i Linit shpallet “Ansambël Arkitektonik Urban” dhe përfshihet në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

Fshati piktoresk i Linit është shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban” dhe tashmë është përfshirë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si pjesë e “Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit”.
Ky status i ri përfaqëson një vlerësim të veçantë për peizazhin unik të Linit, ku ndërthuren në mënyrë harmonike trashëgimia kulturore dhe ajo natyrore.
Fshati ruan strukturën tradicionale urbanistike me rrugica karakteristike prej kalldrëmi, ndërsa arkitektura vernakulare pasqyron teknika ndërtimi dhe materiale vendase, të përshtatura mjeshtërisht me klimën dhe resurset lokale.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.
“MIRËMËNGJES dhe nga fshati i bukur i Linit që sapo është shpallur ‘Ansambël Arkitektonik Urban’, duke u përfshirë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.
Shpallja e Linit si pjesë e Trashëgimisë Botërore përbën një tjetër njohje ndërkombëtare për vlerat historike, arkitektonike dhe natyrore të zonës së Pogradecit. Lini mbetet një nga destinacionet më piktoreske të Shqipërisë, që dëshmon lidhjen e ngushtë mes njeriut, traditës dhe natyrës në brigjet e liqenit më të vjetër të Evropës.
Lini është i pasur me monumente historike dhe kulturore, duke përfshirë kishën e vjetër dhe arkitekturën tradicionale të fshatit.
Vendbanimi palafit i Linit në Pogradec – pas gërmimeve 4-vjeçare të arkeologëve shqiptar dhe atyre nga Universiteti i Bernës – ka rezultuar më i vjetri në Evropë. Një vendbanim ky, mbi 8 mijë e 400-vjeçarë, në të cilin është zhvilluar bujqësia, zejtaria dhe peshkimi.
Arkeologu nga Zvicra, Albert Hafner, ka thënë se ky vendbanim është rreth 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër. Kurse arkeologu shqiptar Adrian Anastasi ka theksuar që edhe vet konfirmimi i rezultatit tregon se është një zbulim i madh për vendin tonë.