“Flor Binaj si Zelensky”, gazetari Blendi Fevziu flet me emra: Beteja për Tiranën do jetë mes dy kandidatëve

Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” kandidatët për Bashkinë e Tiranës. Sipas Blendi Fevziut, opozita nuk kishte asnjë mundësi tjetër veç zgjedhjes së Florjan Binajt, një kandidati jashtë opozitës.

Blendi Fevziu u shpreh se Florjan Binaj mund të rezultojë si Volodymyr Zelensky, i cili ishte gjithashtu një aktor dhe fitues. Sakaq, Fevziu u shpreh se opozita u gjend e papërgatitur.

“Mendoj se opozita është gjendur e papërgatitur. Ndoshta është gabim i saj. Që në momentin e parë të arrestimit të Veliaj, dihej që ai nuk do të kthehej më në detyrë, nuk shkonte në një masë aq të rëndë dhe të kthehej në detyrë. Opozita duhet të ishte bërë gati për zgjedhjet duke filluar që nga shkurt-marsi i vitit të kaluar. Vetë kërkoi shkarkimin e Veliajt dhe nuk u përgatit.

Momentin e fundit, opozita nuk mund të nxirrte një kandidat. Alimehmeti refuzoi të futej. Kështuqë opozita nuk kishte zgjidhje, por vetëm të ndërtonte një koalicion me një figurë jo të vetëm të drejtëpërdrejtë. Pastaj, a zgjodhi Ermal Hasimen, a zgjodhi Binajn, po nisem te fenomeni.

PD sot, nuk ka ndonjë figurë që mund të kandidojë në Tiranë. Luçiano Boci, ka jetuar në Elbasan, nuk e vë dot në Tiranë kandidat. Bylykbashi, ka jetuar në Durrës. Gjekmarkaj ka jetuar në Tiranë, por është shumë i lidhur me Lezhën.

Ndërsa te PS ka figura që mund të përdorësh, mund të vendosësh Blendi Klosin, figura të tjera, ka më shumë njerëz që kanë një lidhje me qytetin.

Një provë e kemi, që dukej qesharake në fillim, por kemi provën e Zelensky-t. Kur filloi lufta në Ukrainë, një nga shefat e rëndësishëm të pi-arit në Europë, më thonë, imagjino sa e tmerrshme është, Ukraina kërcënohet nga Rusia dhe ka President një karagjoz. Në fakt, Zelensky rezultoi një figurë e suksesshme. A do të jetë Binaj? Nuk e dimë këtë. Në fund të fundit, edhe Rama nuk ishte ndonjë politikan i rëndësishëm kur erdhi. Kishte mbajtur qëndrime politike, por piktor ishte.

Ky kryetar që vjen nuk administron dot asgjë, sepse nuk zgjidhet Këshilli Bashkiak dhe dominohet nga PS. Ka më pak se një vit mandat.

Ndërsa Manastirliu ka strukturën e PS, është 10 vite ministre, ndoshta ministrja më jetëgjatë në Shqipëri që mbaj mend. Ka administruar Covid-in, ka punuar ministre arsimi, pa ndonjë produkt të madh aty, sepse te Shëndetësia ishte pandemia, prandaj u evidentua aty.

Është figurë e rëndësishme në PS, ndër besniket e forta të Ramës sepse vjen nga grupi i vogël i Bashkisë së Ramës. Rama ka bërë zgjedhje për të unifikuar strukturën e partisë, për të mbajtur të lidhur edhe njerëzit që mund të ishin besnikë të Veliajt. Ajo shihet si garante edhe për grupin e Veliajt.

Qori është kandidat që nuk ka shanse për të fituar, kandidon në çdo garë, mban të karikuar elektoratin e vet. Si zgjedhjet, është zgjedhje e mirë që kandidon, kështu duhet të bëjnë edhe të tjerët, për të mbajtur elektoratin e tyre, por beteja është mes Manastirliut dhe Binajt.”-tha Fevziu.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT