Edi Rama u ‘tall’ me të mes liderëve europianë, propozimi i Donald Trump gjen mbështetjen e Spiropalit: E përgëzojmë Presidentin e SHBA

Shefja e diplomacisë shqiptare, Elisa Spiropali përshëndet propozimin e presidentit amerikan Donald Trump, për planin e tij 20 pikësh për arritjen e paqes në Gaza, i cili është pranuar orët e fundit nga Hamasi dhe Izraeli.
Ministrja e Jashtme thotë se Shqipëria mbështet përpjekjet e Trump që e kanë afruar Lindjen e Mesme me horizontin e paqes së shumëpritur.
“Dy vite të pashpresë pas sulmeve të tmerrshme, lajmi i vendimit të Hamasit për të liruar të gjithë pengjet ndez një flakë shprese të brishtë, por të çmuar. Qoftë agimi i një kapitulli të ri, ku izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë jo në pikëllim paralel, por në paqe dhe dinjitet të përbashkët.
Shqipëria e mirëpret këtë hap me zemër të hapur dhe një besim të palëkundur në pajtim, dhe përgëzon përpjekjet e Presidentit Donald Trump që e kanë afruar Lindjen e Mesme me horizontin e paqes së shumëpritur”, shkruan ministrja Elisa Spiropali.
Mbështetja e shefes së diplomacisë shqiptare për presidentin e vendit më të fuqishëm të globit, vjen pas talljes që kryeministri Edi Rama bëri mes liderëve europianë në Danimarkë, për një gafë të përsëritur të Donald Trump, i cili ngatërronte Shqipërinë me Armeninë.
Episodi mori vëmendje të gjerë në mediat europiane dhe kryeministri Edi Rama u detyrua të reagonte zyrtarisht, duke thënë se e gjitha ishte një shaka mes miqsh.