“E vrava se më bullizonte”! Policia zbardh detaje të reja nga krimi te Komuna e Parisit: Picieri i dënuar edhe më parë

Pas ngjarjes që tronditi dje Komunën e Parisit, ku në një lokal, pas një konflikti picieri Filip Shehu ka qëlluar kuzhinierin Indrit Ismaillari, ky i fundit nuk u mbijetoi dot plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.

Ka patur një reagim zyrtar nga policia, e cila përmes një njoftimi është shprehur se autori i vrasjes, tashmë i arrestuar, Filip Shehu ka qëne i dënuar edhe më parë për posedim për armë të ftohta. Policia e Tiranës ka bërë me dije po ashtu se ka gjetur dhe sekuestruar thikën e krimit.

Kujtojmë se mes autorit dhe viktimës ka pasur konflikte prej kohësh. Ky fakt është konfirmuar nga vetë autori i ngjarjes i cili ka pretenduar para grupit hetimor se Indrit Ismaillari e bullizonte.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., në ambientet e lokalit në Komunën e Parisit, ku punonin të dy, arrestohet në flagrancë autori, i cili u kap nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas krimit.

I arrestuari, i dënuar më parë për posedim të armëve të ftohta.

Gjendet dhe sekuestrohet mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se u krye krimi.

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit, ku shtetasi F. Sh. dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 dhe me shërbimet e  Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Sh., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se shtetasi F. Sh. kreu vrasjen.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi F. Sh., i cili u kap menjëherë pas krimit, ishte i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT