“E shoqëronin disa persona, e pashë me sytë e mi”, avokati tregon si e rrethuan policët predikuesin fetar, Imran Hosein në Rinas

Në emisionin Review me moderatoren Greta Topjana, në Euronews Albania, avokati Edmond Petraj rrëfeu momentin kur predikuesi i njohur fetar Imran Hosein u ndalua nga autoritetet kufitare në aeroportin e Rinasit.

Sipas Petraj, ai ndodhej në aeroport në çastin kur vuri re një prani të konsiderueshme të forcave të policisë, të cilat kishin rrethuar Imran Hosein dhe po e informonin se nuk i lejohej hyrja në territorin shqiptar.

Avokati tha se fillimisht nuk e kuptoi arsyen e ndalimit, pasi komunikimi mes Hosein dhe efektivëve të policisë ishte i vështirë për shkak të gjuhës.

Ai shtoi gjithashtu se jashtë aeroportit kishte një numër të madh njerëzish që prisnin mbërritjen e predikuesit, gjë që i tërhoqi menjëherë vëmendjen.

“Rastësisht isha në Rinas dhe pashë një grumbullim policësh. Më bëri përshtypje sepse nuk është e zakonshme. Predikuesi ishte i shoqëruar nga dy ose tre persona. U ndalova të shihja dhe më bëri përshtypje mënyra si po e ndalonin.

Ai ishte në moshë të thyer, rreth 80 vjeç, dhe komunikonte qetësisht me punonjësit e policisë. Mënyra si i drejtohej ishte shumë e qetë, u kërkonte arsyen e ndalimit, duke u thënë se kishte prenotuar hotelin dhe fluturimin. Nga sa mora vesh, ai qëndroi në zonën e tranzitit deri sa u kthye mbrapsht.

Policët po përpiqeshin t’i shpjegonin situatën me anglishte të kufizuar. Më pas erdhën disa të tjerë që e flisnin më mirë dhe ia bënë të qartë se nuk mund të hynte në Shqipëri. Këtë situatë e pashë vetë, e më pas mora vesh nga mediat se për çfarë bëhej fjalë.”-tha Petraj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT