“Dy metra ujë më shkaktuan 50 milionë lekë dëm”, banori i Vaut të Dejës: Gjithçka u shkatërrua për gjysmë ore

Situata paraqitet shumë e rënduar në Vaun e Dejës, ku sipas kreut të Bashkisë Kristian Shkreli 100 banesa janë përmbytur.
Një nga banorët, Gjon Dodani ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në vetëm 30 minuta, ndërsa ka shtuar se dëmi i shkaktuar deri tani ka qenë mbi 50 milionë lekë.
Ai thotë se bagëtitë, kosheret e bletëve e një hotel iu shkatërrua si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe daljes nga shtrati të përroit të Glinës.
Sipas tij dëmi i shkaktuar i kalon 50 milionë lekë, ndërsa i bën apel shtetit për ndihmë.
“Çfarë kam pas mbas shpirti mi ka marrë të gjitha; me thi e me bagëti të tëra, bërsitë. kam pas 50 koshere bletë. E pabesueshme, një hotel ma ka prish. Çfarë kam pas në magazinë të tëra i ka marrë me vete ka mbi 2 metra ujë. Për gjysmë ore ka ndodhur kjo punë.
Mbi 50 milionë lekë dëme. Më ka marrë 52 zgjoj blete 15 thi . Me këto jetoj unë. Dhe me këtë hotel çfarë kam pas në hotel të gjitha i ka marrë përveç mallit e dëmeve materiale në hotel. Shteti mirë është të na ndihmojë, por nuk besoj në të. Edhe herë të tjera jemi përmbytur, por jo si këtë herë”, tha ai.
Kryebashkiaku Kristian Shkreli shprehet se disa herë ka kërkuar një investim për mbrojtjen nga përroi i Glinës por asnjëherë ai projekt nuk është financuar.
Ndërkohë në njësinë Guri Zi ka probleme nga përroi duke krijuar vështirësi në rrugën Shkodër – Vau Dejës ashtu siç tek harku i Bërdicës dhe Kryebushat në aksin Shkodër Tiranë ka patur prezencë uji. Probleme ka edhe në bashkitë Malësi e Madhe, Pukë e Fushë Arrës me rrëshqitje gurësh e bllokim të rrugëve rurale nga intertet.