“Dy botë në një shtet”, realiteti i hidhur mes luksit të Kuvendit dhe dhimbjes te muret e ftohta të Onkologjikut: Nënat blejnë 30 mijë poltronin

Osman Stafa, i cili është dhe një ndër gazetarët që ka ngritur zërin fort lidhur me atë çfarë ndodh brenda mureve të Onkologjikut, ku qindra e qindra pacientë përballen çdo ditë me sëmundjen flamë, ka postuar së fundmi dy foto, një nga salla e Kuvendit dhe një tjetër nga Spitali Onkologjik i Tiranës.

Në rrjetin e tij social në “Facebook”, Stafa i ka vendosur këto foto krah për krah, të cilat tregojnë “dy botë në një shtet”. Në njërën anë, deputetët e Shqipërisë të ulur në kolltuqe të rehatshme, nën ajër të kondicionuar, diskutojnë për procedura, rend dite e akuza politike.

Në anën tjetër, pacientët e Spitalit Onkologjik, të sëmurë me kancer, që kalojnë orë të tëra në karrige me rrota ose në karrige druri për të marrë kimioterapi, sepse nuk ka poltronë.

“Dy botë në një shtet”, realiteti i hidhur mes luksit

Kuvendi i Shqiperise-Onkologjiku

 

Kontrasti mes sallës luksoze të Kuvendit dhe dhomave të ftohta të Onkologjikut është një “pasqyrë” e pabarazisë që ndan vendin tonë në dy realitete, ata të privilegjuarit dhe ata të harruarit.

Ndërkohë, jo më larg se një natë më parë, vetë Stafa, i ftuar në emisionin “Top Story” me Grida Dumën tregoi faktin se si pacientët duhet të paguajnë nga xhepi i tyre për të gjetur një vend ku duhet të marrin trajtimin e tyre jetik.

“Të shkosh aty të hysh me kamer është kamp përqendrimi. Oër një poltron ti duhet të paguash lekë, që të bësh kimioterapinë, 19 ka QSUT, 100 pacientë shkojnë të marrin kimioterapi. Dhe shkojnë aty japin 20 mijë-30 mijë lekë për të marrë një vend.  Rrinë në karrige pacientët për të bërë kimioterapit 6 orë 7 orë. Nëna nga 70 vjeç, 60 vjeç. 40 vjeç”, tha gazetari një natë më parë në emisionin Top Story me Grida Dumën.

Postimi i Osman Stafes në Facebook:

Dy botë në një shtet

Në këtë foto janë deputetët e Republikës së Shqipërisë.

Në foton tjetër janë pacientët e Spitalit Onkologjik.

Të parët, të ulur në kolltuqe me ajër të kondicionuar, rehatshëm. Flasin për procedurë. Flasin për akuza e kundërakuza, por jo për këta të dytët.

Të dytët janë këta që janë në karrige me rrota, karrige druri, dhe pranë qeseve të mbeturinave. Ata janë pacientët e Spitalit Onkologjik. Po bëjnë kimioterapi. Se nuk ka poltronë, ata bëjnë kimio në kushte ç’njerëzore. Ata nuk thërrasin se kimiot po i bëjnë në karrige me rrota, hallet e tyre janë aq të mëdha, sa nuk kanë më as zë, t’i bërtasin.

Ata që mund të ngrenë zërin për ta, nuk e bëjnë këtë. Ata kanë hallin e rendit të ditës. Po a njeh rend dite kanceri, e kushtet ç’njerëzore në Onkologjik? A mund të ketë rend dite, kur pacientët me kancer janë pa kimio, pa pajisje trajtuese e diagnostikuese, e pa poltronë?

Të parët marrin dieta, privilegje, rrogë të majme, e benefite të tjera.

Ndërsa të dytët paguajnë parkingun në QSUT, paguajnë për poltronin, paguajnë tek mjekë për të marrë një shërbim pa sorollatje, e për një fjalë të mirë.

Këta të parët mund të ngrenë zërin për të dytët, që situata të rregullohet, por në orbitën e shumë prej tyre këto ‘akte ç’njerëzore’ nuk ekzistojnë.

p.s Foto e pacientëve të Onkologjikut është e ditëve të fundit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT