Dumani: Zgjatjen e mandatit të Prokurorëve të Posaçëm nuk e kërkoj për interesin personal

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, gjatë raportimit vjetor në Kuvend për veprimtarinë e SPAK në vitin 2024, u ndal edhe te çështja e mandatit të tij dhe e prokurorëve të posaçëm.

Në një seancë ku u përball me 65 pyetje të depozituara nga opozita, Dumani dha një mesazh të qartë për qëndrueshmëri, integritet dhe refuzim të çdo aludimi për interes personal.

I pyetur nga deputetët e opozitës, nëse përfundimi i mandatit të tij përbën një dorëzim përballë presioneve dhe pamundësisë për të hetuar korrupsionin, Dumani u përgjigj duke thënë se, “Unë nuk dorëzohem, nuk jam njeri që dorëzohem, iu bëj ballë sfidave. Do të vazhdoj të jem prokuror i Republikës së Shqipërisë edhe pas mandatit 9-vjeçar.”

Dumani theksoi se kërkesa për rishikimin e mandatit të prokurorëve të posaçëm nuk ka lidhje me interesin e tij personal, por me funksionimin e institucionit.

I kam kërkuar disa herë Kuvendit të shqyrtojë mundësinë e rishikimit të mandatit të prokurorit të posaçëm dhe jo në pak raste është aluduar se e bëj këtë për interesin tim personal. Për këtë arsye e ritheksoj: Nëse politika e kushtëzon apo ka edhe mendim se zgjatja e mandatit lidhet me emrin tim, atëherë unë nuk rikandidoj.”

Ai shtoi se do të vijojë të shërbejë si prokuror, pavarësisht nëse do të jetë pjesë e SPAK apo jo.

Për një gjë të jeni të sigurt, unë do vazhdoj të jem prokuror i Republikës së Shqipërisë edhe pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar, kuptohet po s’na larguat juve.”

Në fjalën e tij, Dumani citoi edhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, Robert Kennedy, për të përçuar mesazhin e përkushtimit dhe guximit në drejtësi:

Lavdia e drejtësisë dhe madhështia e ligjit nuk krijohen vetëm nga Kushtetuta, por nga burrat dhe gratë që jetojnë ato me guxim e përkushtim. Ndaj e ndiej punën, kam guximin, por përpiqem të jem i mirëkuptueshëm.”

Në raportin e tij, Dumani konfirmoi se hetimet për pastrim parash në sektorin e ndërtimit dhe turizmit kanë çuar në konfiskimin e katër hoteleve dhe se janë në proces edhe raste të tjera.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT