Del FOTO: Ky është lezhjani që u ekzekutua në Medelin, vrasësi zbrazi një karikator pistolete mbi të! Kristjan Tushi kishte dokumente ekuadoriane

Kristjan Tushi alias Artur Tushi, është 44 vjeçari me origjinë nga Lezha në Shqipëri, i cili u ekzekutua dje në një prej qyteteve më të famshme të Kolumbisë, në Medelin. Qyteti ka qenë baza e kartelit të parë kolumbian të drogës, i themeluar nga Pablo Escobar dhe mori emrin “Karteli Medellin”.
Dyshimet janë se shqiptari është vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës, ose mosmarrëveshjeve të krijuara nga tregtia e kokainës, pasi Kolumbia është një nga shtetet kyçe në Amerikën e Jugut për trafikimin ndërkombëtar të “të bardhës”.
Sekretari i Sigurisë së qytetit, Manuel Villa Mejía ka thënë se viktima ishte një burrë që kishte dokumente ekuadoriane, por është me kombësi shqiptare.
Kristjan Tushi alias Artur Tushi ka qenë në shoqërinë e një gruaje, në një rrugë pranë qendrës tregtare Santa Fe në lagjen El Poblado, kur autori i maskuar është afruar me motor dhe e ka pyetur për emrin. Sapo është siguruar për objektivin, ai ka zbrazur një karikator të tërë mbi shqiptarin.
Policia kolumbiane ka mundur të arrestojë autorin e dyshuar të vrasjes, i cili mendohet se ka vepruar si me pagesë dhe në momentin e ndalimit, i është gjetur pistoleta dhe motori.
“Motivet dhe detajet e rastit po verifikohen aktualisht si pjesë e hetimit që po kryejnë autoritetet”, tha Villa Mejía. Mediat vendase shkruajnë se rrjetet shqiptare janë një lojtar kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë kryesore për operacionet e tyre transatlantike.
Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës (siç janë disidentët e FARC-ut ose Urabeños në Kolumbi) për të siguruar çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë, thotë El Colombiano.