DEKLARIMET E PASURISË/ Presidenti Begaj shkel Kushtetutën me “dy këmbët”, Kreu i Shtetit punon si doktor privat me 1600 euro

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shkelur ligjin shqiptar me të “dyja këmbët”. Në fashikujt e dosjes së deklarimit të pasurisë, Begaj rezulton se përgjatë vitit 2023 ka ushtruar paralelisht me detyrën e Kreut të Shtetit edhe profesionin si mjek pranë një spitali privat në Tiranë, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit.
Sipas një dokumenti zyrtar të publikuar së fundmi, presidenti Begaj ka përfituar plot 1600 euro të ardhura nga spitali, për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2023. Ndërkohë, që në të njëjtën kohë, ai ka marrë edhe pagën si president i Republikës në vlerën 3,324,215 lekë.
Ky fakt bie ndesh me Nenin 89 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e cila përcakton qartë e zeza mbi të bardhë se: “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.”
Ushtrimi i profesionit pranë një institucioni privat, qoftë edhe si mjek, konsiderohet veprimtari private dhe si i tillë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të këtij neni kushtetues.
Lidhur me këtë aktivitet të presidenti Begaj më herët ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i cili akuzoi presidentin Begaj duke thënë se është i punësuar në një rrjet klinikash mjekësore.
“A e dini ju se presidenti, ndërkohë që është president, rezulton të jetë i punësuar dhe merr të ardhura nga një klinikë private mjekësore. Pra, ditën bën presidentin e Republikës, pasdite paguhet nga rrjeti i klinikave private Acibadem siç deklaron vetë të ardhurat çdo vit.
Ky është niveli i presidentit të Republikës dhe ne ndjejmë keqardhje që një individ nuk përmbush asnjë standard etik, integriteti e profesionalizmi sot është kreu i Shtetit.
S’dimë ta quajmë presidenti paradite dhe mjekun pasdite. Nuk kishte ndodhur kjo me asnjë president më parë. Ky është paradite president, dhe pasdite shkon për 200 euro si konsultent në rrjetin e klinikave private”, tha Bardhi. Madje sipas demokratit, presidenti Begaj jep mësim edhe te Akademia e Forcave të Armatosura
“Presidenti në vitin 2022, 2023, 2024 deklaron të ardhura nga kjo kompani private. I deklaron dhe e si pedagog, shkon jep dhe mësim se është shumë i ditur. Jep mësim tek Akademia e Forcave të Armatosura. Ku ka lek, do të gjeni Bajram Begajn.”, shtoi Bardhi.
Kujtojmë se Bajram Begaj në vitin 1989 ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Begaj ka hyrë në historinë e Forcave të Armatosura, duke u bërë mjeku i parë në ushti i cili arrin që të bëhet gjeneral major, e cila është grada më e lartë.
)