Daily Mail: Trump, objekt talljeje! Macron shpërthen në të qeshura, teksa liderët e Shqipërisë dhe Azerbajxhanit tallen me presidentin e SHBA-së

Media britanike Daily Mail ka raportuar episodin tashmë viral në samitin e Komunitetit Politik Evropian të mbajtur në Kopenhagen, ku presidenti francez Emmanuel Macron u pa duke qeshur teksa kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, bënë humor me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump.
Shkrimi i plotë i Daily Mail
Presidenti francez Emmanuel Macron është parë duke qeshur, ndërsa liderët e Shqipërisë dhe Azerbajxhanit tallen me presidentin amerikan Donald Trump për deklaratën se i ka dhënë fund luftërave që përfshijnë vendet e tyre.
Në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen, Macron u pa duke biseduar me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, shihet që u afrohet dhe i thotë Macron-it: “Duhet të na kërkosh falje… sepse nuk na përgëzove për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”.
Komenti iu referua konfuzionit të përsëritur të Trump për Armeninë dhe Shqipërinë kur diskutoi armiqësinë e gjatë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Në një intervistë me Fox News muajin e kaluar, Trump pretendoi: “Unë zgjidha luftëra që ishin të pazgjidhshme. Azerbajxhani dhe Shqipëria, që po ndodhte për shumë, shumë vite, kryeministri dhe presidenti ishin në zyrën time”.
Dhe gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, ai ngatërroi sërish emrin e vendit të Kaukazit Jugor duke thënë: “Ne i zgjidhëm çështjet e Aberbajxhanit dhe Shqipërisë”.
Shakaja e Ramës i bëri të qeshnin si Aliyev ashtu edhe Macron. Udhëheqësi francez tha me shaka: ‘Më vjen keq për këtë!’.
Lideri shqiptar shtoi: ‘(Trump)punoi shumë!’
Trump ndërmjetësoi një marrëveshje midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në gusht, me Aliyev dhe Nikol Pashinyan, kryeministrin e Armenisë, duke rënë dakord të japin fund luftimeve që zgjasnin prej dekadash dhe të zgjerojnë lidhjet me Uashingtonin.
Gjithsesi, pretendimi i tij se falë ndërmjetësimit të tij u ka dhënë fund shtatë luftëra, është i rremë.
Trump pretendoi se i ka dhënë fund luftës mes Serbisë dhe Kosovës, dhe Egjiptit dhe Etiopisë.
Edhe pse ka tensione të gjata midis këtyre kombeve, ato nuk kanë shkuar në luftë të plotë së fundmi.
Edhe India hodhi poshtë pretendimin e Shtëpisë së Bardhë se Trump ndihmoi në uljen e tensioneve me Pakistanin.
Nga ana tjetër edhe, një zyrtar i Hamasit ka thënë se grupi terrorist ka nevojë për më shumë kohë për të studiuar planin 20-pikësh të presidentit amerikan për paqen në Gaza.
Trump i dha të martën Hamasit një ultimatum prej ‘tre ose katër ditësh’ për të pranuar planin e tij për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në territorin palestinez.
Plani parashikon një armëpushim, lirimin e pengjeve brenda 72 orëve, çarmatimin e Hamasit dhe një tërheqje graduale të Izraelit nga Gaza. Kjo do të pasohej nga një autoritet kalimtar pas luftës i kryesuar nga vetë Trump.