Çlirimtarët nesër në Tiranë për protestë, kryeministri Edi Rama nuk do të marrë pjesë

Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë në protestën e nesërme të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët do të mblidhen më datë 17 Tetor ora 17:00 në sheshin Skënderbej, për burgosjen e padrejtë të Thaçit dhe të tjerëve.

Këtë lajme  ka bërë të ditur kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij pak minuta më parë në seancën plenare.

“Kryeministri nuk do të jetë nesër në protestë, përse nuk vini, ejani”, u shpreh politikani socialist, duke njoftuar edhe arsyen. “Nuk duam ta politizojmë”, u përgjigj Taulant Balla dhe ftoi kolegët e opozitës që të dalin nesër në shesh.

Organizata e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka njoftuar se nesër në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, do të mbahet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të luftës së UÇK, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e saj që po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në një konferencë për media, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në protestë ka qenë shumë i madh dhe se nga Kosova do të nisen mbi 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës në kryeqytetin shqiptar.

Protesta e 17 tetorit në Tiranë vjen pas dy protestave të mëdha të organizuara më parë në Prishtinë dhe Hagë, ku mijëra qytetarë kërkuan lirimin dhe drejtësinë për ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT