Brisida Shehaj zbulon detaje të pazbuluara nga Aeroporti i Vlorës: Pacolli dhe ortakët e tij pritet të përfitojnë 734 milionë euro

Brisida Shehaj ka reaguar së fundmi përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, duke hedhur dritë mbi disa detaje të rëndësishme dhe të pazbuluara më parë për Aeroportin e Vlorës.

Ajo i është përgjigjur deklaratës së fundit të Behgjet Pacolli, i cili e cilësoi situatën si një “komplot të koordinuar në Shqipëri” kundër tij.

“Prej disa ditësh në media janë publikuar fakte tejet të rënda lidhur me koncesionin e Aeroportit të Vlorës.

Ditën e djeshme, Behgjet Pacolli reagoi duke pretenduar se pas këtyre publikimeve qëndronte një “komplot i koordinuar në Shqipëri” kundër tij, ndërsa shtonte se Aeroporti i Vlorës, në të cilin ai kishte investuar “qindra miliona euro”, ishte një nismë për të “lënë një trashëgimi”, edhe pse sipas tij investimi “vështirë se do të rikthehej”, shkruan Shehaj.

Gjithashtu ajo ka zbuluar disa të pavërtëta, ku thekson se nga të dhënat e Planit të Biznesit të depozituar për këtë projekt, parashikohet t’i sjellë Pacollit dhe ortakëve të tij 734 milionë euro fitime.

“E PAVËRTETË Sipas të dhënave të Planit të Biznesit të depozituar, Aeroporti i Vlorës, në harkun e 35 viteve, parashikon t’i sjellë Pacollit dhe ortakëve të tij 734 milionë euro fitime, me një investim total prej rreth 104 milionë eurosh, nga të cilat 53 milionë janë kredi.

Pra, investimi nuk ka lidhje as me “trashëgimi” e as me “dashuri për shqiptarinë”. Pacolli është një biznesmen që ka hyrë në këtë projekt për të fituar dhe JO PAK. Dhe deri këtu s’ka asgjë të keqe, për sa kohë çdo gjë është transparente. Por të na i kursejë patetizmat. Matematika nuk është opinion e aq më pak poezi.

Le të rikthehemi tek teoria e “KOMPLOTIT”, siç e cilëson Pacolli. Historia që po del në dritë me fakte është shumë më tepër se kaq dhe ç’është më e rënda po trajtohet si një rast “korrupsioni”, në një vend ku askush nuk habitet më nga kjo fjalë.

Por vëmendje! Thelbi i çështjes nuk është thjesht korrupsioni. Aeroporti i Vlorës është një aset strategjik, pjesë e sigurisë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s”, shton Brisida.

Po ashtu Brisida u ndal të kontrata e datës 26 mars 2025 e nënshkruar mes MABCO Construction S.A. dhe Delphos Securities SARL, kjo e fundit një kompani offshore me pronar fundor të dyshuar nga një vend jo partner. Kjo kontrat parashikon një huadhënie prej 100 milionë eurosh për ndërtimin e aeroportit.

“Dhe në këtë kontekst vëmendjen e tërheq kontrata e datës 26 mars 2025, e nënshkruar mes MABCO Construction S.A. dhe Delphos Securities SARL, kjo e fundit një kompani offshore me pronar fundor të dyshuar nga një vend jo partner.

Kontrata parashikon një hua prej 100 milionë eurosh, me objekt financimin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Por ja ku lind ABSURDI: më 8 maj 2025, Aeroporti u inagurua zyrtarisht. Përse, pra, u mor kjo hua pas përfundimit të ndërtimit?

Nëse kjo kontratë atipike huaje i jep kontroll të plotë kompanisë offshore mbi aksionarin me 98% dhe mbi financat e aeroportit, nuk paska si qëllim ndërtimin e tij, atëherë përse ekziston? Përse u mor kjo hua nga Pacolli kur investimi ka përfunduar??? Dhe këtu, në këtë pikë, duhet të ndalemi të gjithë.

Sepse nuk bëhet fjalë më vetëm për interesa të shqiptarëve të dëmtuar nga një aferë korruptive, por për interesa strategjike të aleatëve tanë dhe për sigurinë vendase e ndërkombëtare.

Le të kujtojmë se Aeroporti i Vlorës ndodhet vetëm 25 minuta larg bazës ajrore të Kuçovës. Dhe po ndalem me kaq.

Sa për “komplotin” ndaj Pacollit, do të ishte mirë që ai të mos merrej me statuse për miza, bletë, lisa e mjaltë, por të sqarojë publikisht kontratën e 26 marsit 2025 me Delphos Securities.

Dhe mbi të gjitha, të flasë me emra e mbiemra: kush fshihet pas këtij “komploti”?

Përse nuk u depozituan në kohë në QKB kontratat e shitblerjes së aksioneve si me palën Turke dhe 2A Group?

Le të flasë edhe për Kryeministrin dhe Zëvendëskryeministren, sepse vetëm kështu do t’i shërbente realisht trashëgimisë që pretendon dhe Shqipërisë, vendit që i ka dhënë dhe i jep jo pak përfitime me këtë koncesion.

Kjo do të zbardhte KOMPLOTIN e vërtetë’’, përfundon Shehaj.

Brisida Shehaj zbulon detaje të pazbuluara nga Aeroporti i Vlorës:

Back to top button
LAJMET E FUNDIT