Begaj dekretoi zgjedhjet në Tiranë/ Gjekmarkaj: Vendimi një faqe e zezë në kronikën e kapjes së shtetit

Nënkryetari i PD, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas vendimit për dekretimin e zgjedhjeve nga presidenti Bajram Begaj. 

“Presidenti Bajram Begaj sot ka zgjedhur të mos jetë simbol uniteti kombëtar, por noter i mazhorancës. Në vend që të garantojë funksionimin normal të institucioneve, ai ka përqafuar rolin e interpretuesit selektiv të dëshirave të Kryeministrit, duke e futur procesin zgjedhor në Tiranë në një labirint kushtetues pa dalje”, shkruan Gjekmarkaj. 

Mesazhi i plotë 

“Presidenti në rolin e noterit politik – Dekreti për Tiranën, një faqe e zezë në kronikën e kapjes së shtetit” 

Tirana ka parë shumë dekada të trishta, por dekretimi i sotëm për zgjedhje të pjesshme pa një bazë kushtetuese të qartë është një akt që nuk i shërben demokracisë, por interesave të një njeriu të vetëm – Kryeministrit ! 

Presidenti Bajram Begaj sot ka zgjedhur të mos jetë simbol uniteti kombëtar, por noter i mazhorancës. Në vend që të garantojë funksionimin normal të institucioneve, ai ka përqafuar rolin e interpretuesit selektiv të dëshirave të Kryeministrit, duke e futur procesin zgjedhor në Tiranë në një labirint kushtetues pa dalje. 

Akti i tij është një përkulje, jo ndaj ligjit, por ndaj frikës politike që ka kapluar qeverinë. Dekreti i sotëm nuk është produkt reflektimi institucional, por pasojë e një urdhri partiak të marrë në një zyrë ku mungon fryma republikane. 

E përsëris: nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme kur për dekretet vendoset me telefon, jo me kushtetutë. Tirana meriton më shumë se sa një farsë të orkestruar nga pushteti që kërkon të mbijetojë mbi rrënojat e shtetit ligjor.
Bajram Begaj na e futi te gjithëve per tejkalim të fantazise! 

Historia do ta mbajë mend këtë ditë jo për drejtësinë e saj, por për shkeljen brutale të çdo norme kushtetuese. 

Agron Gjekmarkaj
Nen Kryetar i PD dhe i Kuvendit te Republikes 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT