“Avash moj zonjë, më ngadalë”, Ori Nebijaj “i përvishet” Spiropalit: Na u shqetësua Qeveria për komentet online, populli po shkon në vetëgjyqësi se do drejtësi!

Ish-deputetja demokrate Ori Nebijaj ka bërë një reagim për atë që shkroi ministrja Elisa Spiropali këtë të mërkurë, kur dënoi llumin e urrejtjes publike me komente në rrjetet sociale ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja. Sipas Spiropalit, kjo nuk ishte Shqipëria Europiane.
“Publikimet e paverifikuara mbi protagonizmin vrastar dhe vala e komenteve baltosëse në rrjetet sociale mbi viktimën nuk mund të jetë kurrsesi fytyra e shoqërisë shqiptare. Shqipëria e vërtetë është shumë më shumë se kaq; është vlerë, është respekt, është dinjitet”, shkroi ministrja e Jashtme.
Mirëpo, një reagim i menjëhershëm i ka ardhur nga ish-deputetja dhe personaazhi i njohur i ekranit, Ori Nebijaj, e cila thotë se qeveria nuk duhet të shqetësohet aq shumë për komentet online sesa për masat që duhet të marrë që populli të marrë drejtësinë që i takon dhe jo të shkojë drejt vetëgjyqësisë.
“Avash moj zonjë, më ngadalë! Kurrsesi nuk mund të shqetësohet qeveria pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Gjykatën e Apelit dhe ta ketë hallin tek komentuesit online! Se, sipas zonjës, komentuesit qenkan shumë larg standardeve të “online”-it të BE-së.
Ajo që duhet t’i thoni popullit dhe qytetarëve është se cilat janë masat që do të merrni, pasi sistemi i drejtësisë ju ka rënë dhe qytetarët po shkojnë drejt masave ekstreme të vetëgjyqësisë.
Për këto masa na flisni, dhe na tregoni çfarë do të bëni që edhe Shqipëria të ketë një gjyqësor si shumë shtete të BE-së – apo pse jo, edhe më të mirë. Pastaj, kur të zgjidhni këto hallet e vërteta, merruni me lule e komente online”, shkruan Ori Nebijaj.