Autostrada Tiranë-Durrës, Balluku: Ja kur do të hapet qarkullimi për 6 kilometrat e parë

Në fund të këtij viti pritet të hapet për qarkullimin e automjeteve, segmenti i parë prej 6 kilometrash i autostradës Tiranë–Durrës. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Balluku vlerëson se punimet në dy fazat e para të projektit për zgjerimin e aksit me dy korsi kanë avancuar ndjeshëm, ndërsa shton se përfundimi i këtij segmenti do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe do t’i japë kryeqytetit një hyrje më moderne dhe dinjitoze.
Aktualisht, po vijon puna edhe me elementët e tjerë të projektit, për të përmbyllur punimet që pritet të rrisë sigurinë dhe cilësinë e lëvizjes.
“Në fund të këtij viti hapen për qarkullimin e automjeteve 6 kilometrat e parë të superstradës Tiranë-Durrës. Punimet në dy fazat e para për zgjerimin e aksit me dy korsi tashmë kanë avancuar ndjeshëm, ndërsa hapja e tyre do të lehtësojë lëvizjen e automjeteve si dhe do ti japë kryeqytetit një hyrje dinjitoze.
Po vijohet gjithashtu edhe me elementët e tjerë të projektit për të plotësuar të gjithë këtë vepër kaq të shumëpritur”, shkruan krahas fotove ministrja.