A po minon Izraeli planin e paqes në Lindjen e Mesme? Të paktën 24 viktima palestineze sot nga sulmet ushtarake! Negociatorët nisen drejt Sharm El-Sheikh

Të paktën 24 persona kanë mbetur të vdekur nga bombardimet e fundit në Gaza të kryera nga ushtria izraelite pavarësisht se kryeministri Benjamin Netanyahu pranoi planin prej 20 pikash të presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të firmosur paqen në Lindjen e Mesme.
Sulmet e fundit kryesisht ishin të përqendruara në pjesën lindore të Gazës ndërsa shumë palestinezë u detyruan të zhvendosen në pjesën perëndimore të qytetit.
Burime nga Spitali al-Ahli na tregojnë se numri i viktimave është në rritje dhe mjekët po përballen me shumë sfida në trajtimin e të plagosurve, veçanërisht me mungesën e ilaçeve dhe furnizimeve mjekësore.
Përveç ndalimit të menjëhershëm të bombardimeve dhe kthimin e pengjeve, plani i Trump parashikon dhe tërheqjen e trupave ushtarakë të Izraelit nga territoret e Gazës, por as kjo nuk është vënë ende në zbatim.
Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir ka vizituar sot trupat ushtarakë të pozicionuara brenda pikës më perëndimore të Korridorit Netzarim, i cili u ndërtua për të ndarë Gazën në dy pjesë.
“Nuk ka armëpushim, por ka një ndryshim në situatën operative – niveli politik po merr mjetet dhe arritjet që keni sjellë në veprimin ushtarak dhe po i përkthen ato në një arritje politike. Nëse përpjekja politike nuk ka sukses, ne do të kthehemi te lufta”, u tha shefi i ushtrisë izraelite komandantëve të lartë, sipas ushtrisë.
Zamir tha se Izraeli vazhdon të mbetet në ofensivë, “duke shkatërruar armikun në formacionin e tij, në çdo arenë” ndërsa “ndryshon realitetin në të gjithë Lindjen e Mesme”.
Ndërkohë një grup delegacioni izraelit, i cili kryesohet nga Ron Dermer, ministër i çështjeve strategjike të Izraelit, janë nisur për në Sharm El-Sheikh të Egjiptit për të nisur bisedimet për arritjen e paqes mes Hamasit dhe Izraelit duke iu përmbajtur planit të Trump.