3 vjet nga zhdukja e Ervis Martinaj, SPAK interesohet për dosjen në Prokurorinë e Lezhës! Pritet të pyetet Aldo Avdyli i Shijakut

Prokuroria e Posaçme mësohet se ka shfaqur interes për zhdukjen e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, kur janë bërë më shumë se tre vjet nga ngjarja që ka veshur me mister fatin e një prej njerëzve më të përfolur të krimit, politikës, biznesit e shoëbizit.

Gazetari Elton Qyno shkruan se arrestimi i anëtarit të grupit të Shijakut, Aldo Avdyli, në Tiranë pak ditë më parë ka shumë gjasa që tashmë të kthejë sytë e SPAK të rasti i Ervis Martinaj.

Dosja e zhdukjes së tij ndodhet në Prokurorinë e Lezhës dhe është pezulluar, pasi nga hetimet nuk janë arritur të sigurohen prova që të hedhin dritë mbi pista të mundshme; nëse bëhet fjalë për rrëmbim, vrasje e rrjedhimisht zhdukje.

Gjurmët e Ervis Martinaj humbin përfundimisht në zonën e Shijakut. Prej datës 10 Gusht 2022, kur raportohet se ka udhëtuar drejt këtij qyteti, Ervis Martinaj rezulton i zhdukur dhe për këtë fakt, familja ka bërë në të njëjtën datë kallëzim në Policinë e Lezhës.

Dosja u regjistrua për akuzën “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit” kryer në formën e bashkëpunimit, por pas disa muajsh hetime, çështja nuk solli asgjë veç disa kontrolleve në shtëpitë e Astrit Avdylit, Jasin Avdylit dhe Aldo Avdylit.

Grupi i Shijakut, anëtar i të cilit është dhe Aldo Avdylaj, dyshohet se është i lidhur dhe me zhdukjen e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj. Drejtuesit e tij janë marrë në pyetje nga Prokuroria, por mohuan të kenë pasur kontakte për të strehuar biznesmenin, sepse ishin në “Arrest shtëpie” dhe monitoroheshin nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë, siç ka dalë nga përgjimet e thyera nga SPAK të platformës “Sky ECC”, Astrit Avdylaj i kishte vënë në dispozicion nipin Ervis Martinajt, për të gjetur e vrarë Durim Bamin. Aldo Avdylaj ka komunikuar me mbretin e kumarit, por vrasja e vëllezërve Bami nuk u realizua.

Për Policinë dhe Prokurorinë e Lezhës, Aldo Avdyli ka qenë një ndër personat kryesorë të dyshuar se ka marrë pjesë në zhdukjen e Ervis Martinaj, ndaj pas arrestimit të tij në Tiranë javën e kaluar, mësohet se SPAK ka shfaqur interes për tërheqjen e akteve të kësaj dosje me qëllim studimin dhe pyetjen e mëtejshme në burg të Aldo Avdylit.

Ballafaqimi i Aldo Avdylit me këtë dosje, mund të çojë Prokurorinë e Posaçme drejt një mundësie të zbardhjes së misterit më të madh të botës së krimit në Shqipëri.

Mbetet për t’u parë nëse Aldo Avdylaj do të flasë dhe do të tregojë para prokurorëve se çfarë ka ndodhur me njeriun që për muaj me radhë ishte në qendër të diskursit publik, politik e mediatik në Shqipëri, për shkak të influencës së madhe që kishte dhe mënyrës sesi u zhduk.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT