VIDEO/ Safet Bajri feston ditëlindjen, mesazh nga qielli për të “fortin” e Shkodrës: Edhe mali më i lartë nuk ja fsheh sytë shqiponjës

Kjo ditëlindje e gjeti ndryshe të “fortin” e Shkodrës. Këtë 9 shtator, Safet Bajri feston 41-vjetorin e lindjes në kushte jo të zakonshme, pas hekurave të burgut.
Edhe pse i izoluar, emri i tij vijon të përmendet në qarkun e Shkodrës, aty ku dhe Bajri ka rrënjë të forta dhe miqtë e tij janë siguruar që ai të suprizohet.
Ata kanë organizuar një surprizë nga ajri. Një dron, u dërgua drejt qelisë së burgut 313, aty ku dhe Bajri qëndron prej shkurtit të këtij viti, pasi akuzohet nga SPAK si i dyshuari kryesor për vrasjen e Fatbardh Licit më 10 gusht 2018.
“Edhe mali më i lartë nuk mund t’ia fshehë qiellin atij që ka lindur me sy shqiponje”, shkruhet në pankartën që qëndron varur mbi dronin.
Një mesazh ky të cilin shumë e kanë lexuar si një urim për ditëlindjen e Bajrit, por edhe si një sinjal “besnikërie” nga ata që ende e konsiderojnë figurë të rëndësishme në botën e errët e krimit.
Safet Bajri është një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri dhe më gjerë. Ai u arrestua më 21 shkurt të 2025, me urdhër të SPAK nga Forcat Speciale të RENEA-s në banesën e tij në Dobraç pa bërë asnjë rezistencë.
Ai akuzohet si dyshuar për vrasjen e Fatbardh Licit, vëllai i Mustafa Licit. Ky i fundit është babai i viktimës Hamza Lici dhe Ibrahim Lici, të cilët prej vitesh janë në përplasje të përgjakshme me fisin e Bajrave.