Vendi vakant në Kushtetuese, Gjykata e Lartë zgjedh më 30 shtator zëvendësuesin e Holta Zaçajt

Pas përfundimit të intervistimit dhe pikëzimit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të 6 kandidatëve për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, Gjykata e Lartë do të zhvillojë një mbledhje më 30 shtator për përzgjedhjen e kandidatit, i cili do të zëvendësojë Holta Zaçajn.

“Mbledhja do të zhvillohet më 30 shtator 2025, ora 09:00, pranë ambienteve të Gjykatës së Lartë, me qëllim zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese” thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

Më herët KED publikoi renditjen e kandidatëve në garë për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ku tre emrat me pikët më të larta janë kandidati Asim Vokshi me 89.5 pikë, ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, me 89.3 pikë dhe ish-komisioneri Florian Ballhysa me 77.83 pikë.

Në mbledhjen e 30 shtatorit, të drejtuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, do të zgjidhet edhe kandidati që do të zëvendësojë drejtuesen në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Pikëzimi i KED i 6 kandidatëve në garë:

  • Asim Vokshi   89.5  pikë
  • Naureda Llagami  89.3   pikë
  • Florian Ballhysa  77.83 pikë
  • Alma Faskaj  77.77 pikë
  • Genta Tafa (Bungo) 75.44 pikë
  • Alban Toro   74.22 pikë

Kujtojmë se interpretimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj çoi në përplasje mes Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.  Zaçaj u emërua në janar të vitit 2023, duke pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha. Duke qenë se emërimi i saj përfshihej në skemën për ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë, sipas Gjykatës së Lartë, mandati i Zaçajt përfundonte më 10 mars të vitit 2025 dhe më 10 dhjetor 2024 ajo duhet të kishte deklaruar mbarimin e mandatit.

Duke qenë që një veprim i tillë nuk u ndërmor, Gjykata e Lartë shpalli vakancën për postin e Zaçajt më 11 dhjetor, vendim që u konsiderua nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese si akt në shkelje të Kushtetutës. Sipas Zaçajt ajo ishte zgjedhur në detyrë me mandat 9-vjeçar dhe jo në vend të ish-kryetares Vitore Tusha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT