Spiun i Sigurimit, ordiner dhe klloun i politikës: Ja të gjitha akuzat e Berishës për Azem Hajdarin

Si çdo vit, Sali Berisha ka përkujtuar sot Azem Hajdarin, mirëpo, referuar arkivës së kohës, derisa mbylli sytë Hajdari nuk ka pasur kundërshtar më të egër se sa Berisha.

Në vitin 1996,  Azem Hajdari kishte nisur një valë kritikash ndaj qeverisë së Aleksandër Meksit, por pa atakuar Berishën si President. Me kauzën e mbrojtjes së sindikatave, Azemi synonte t’i diktonte Berishës rrëzimin e Meksit, për t’u dhënë një tjetër mesazh demokratëve për fuqinë e tij në PD. Ky ishte një moment kur Berisha shpërtheu ndaj Azem Hajdarit, duke e akuzuar për lidhjet me Sigurimin e Shtetit, si spiun të Ramiz Alisë dhe për implikim në ngjarje të rënda.

Berisha shprehej se  “Cili është dhe kujt i shërben në të vërtetë, Z. Azem Hajdari? Duke gjykuar mbi faktet e jo mbi fjalët kemi të drejtë të themi se kishim dy Azem. Ai i mitingjeve që bënte gjëmën, kurse ai në jetë që bëhej mik me Irakli Koçollarin, e sigurimsa të tjerë, dehej sa nuk e kontrollonte se ç’nxirrte nga xhepat. Deputeti Azem Hajdari hyri në grevën e urisë. Kureshtarët e shumtë, tifozët e politikës u gjendën të befasuar nga veprimet e zotit Hajdari dhe sollën versionet të ndryshme në shpjegimet e tyre, duke akuzuar më pas Azem Hajdarin për lidhje të shumta kriminale, lidhje me sigurimsat e shtetit, në shërbim të Ramiz Alisë e të tjera me radhë. Vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë: Në “kafenenë e Xhelës” thuhet se deputeti Hajdari, i përfolur nga shtypi dhe nga zëra të tjerë për problemin e vrasjeve dhe në prag të zgjedhjeve të 22 marsit, i futur në grevën e urisë, i armatosur, rast unikal në historinë e grevave të urisë, i braktisur nga të gjithë, i yshtur nga Çupi dhe Këndezi, i keqtrajtuar nga Kurt Kola, i rrethuar nga ish 80-lekshat (dhe ata janë të shumtë), vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë”

Gazeta e PD-së, për rrjedhojë e Berishës, e quan Azem Hajdarin klloun mjeran të politikës shqiptare që udhëheq një tufë ordinerësh, përçarës, të dështuar si dhe e krahason me një kumarxhi.

Në artikullin e datës 7 janar 1997, gazeta Rilindja Demokratike, duke iu referuar grevës në universitete të organizuar nga Azem Hajdari në datën 6 janar, ndër të tjera shkruan: “Duke përdorur nipin e tij, që në vend të librave parapëlqen të mbajë vulën nën jastëk, Hajdari tenton të menaxhojë disa vështirësi të studentëve për të realizuar ambiciet e tij të sëmura politike. Hajdari i eksituar nga egoja e tij e fryrë me marifet nga një tufë bredhacakësh ordinerë, deklaron ringjalljen e trinomeve, sipas parimit ‘fol, fol se diçka do mbetet’. Hajdari, i shndërruar në pak kohë në klloun mjeran të politikës shqiptare, harron se një muaj më parë ishin punëtorët, ishin studentët dhe gjithë qytetarët e Tiranës, që nuk denjuan as të vinin ta përqeshnin mbledhje e tij në një ambient sportiv të stadiumit Qemal Stafa, ku britmat e tij ngjanin me akstazat e një drejtuesi bastesh…”.

Janar 1997, Berisha përjashton Azemin nga partia
Kulmi i durimit të Sali Berishës arriti në 9 janar të vitit 1997, ku me urdhër të tij, kryesia e grupit parlamentar të PD, vendosi t’i propozonte Kryesisë së PD-së përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi i PD-së. Shumë shpejt Azem Hajdari u ‘ngri’ si anëtar i Këshillit të Kombëtar të PD-së. Disa ditë më pas, Kryesia e PD-së përjashtoi Azemin nga grupi parlamentar të PD-së. Ndëshkimi i Azem Hajdarit nga Sali Berisha sigurisht që u pasqyrua edhe në gazetën RD. Ndërkaq, në seancën e parë plenare të Kuvendit, të datës 20 janar 1997, Azem Hajdari, mban një fjalim mbi përjashtimin e tij. Hajdari thekson se përjashtimi i tij është i paligjshëm, ndërsa shton se nuk është thirrur as në Këshillin Kombëtar të PD-së, as në kryesi dhe as në grupin parlamentar, siç e kërkon procedura.

“Në rast se grupi parlamentar ose dhe një deputet i thjeshtë do ta bënte një propozim të tillë, kjo është kompetencë e grupit parlamentar dhe në asnjë nen të statutit të Partisë Demokratike nuk shihet forca vendimore e kryesisë së PD për të përjashtuar një deputet nga grupi parlamentar. Kjo është një lidhje nga lart-poshtë, e cila nuk shqyrtohet fare në forume. Unë aktualisht jam anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i pezulluar pa afat, dhe “pezullimi” si term ndryshon nga “përjashtimi”….”, shprehet Azem Hajdari.

Spiun i Sigurimit, ordiner dhe klloun i politikës: Ja të gjitha akuzat

Back to top button
LAJMET E FUNDIT