Si u mashtruan banorët e Lushnjës nga skema piramidale “XUEX”! Prapaskenat e zhvatjes, ekspertët: Kanë patur garanci nga lart (DËSHMITË)

Më 28 gusht 2025, në ambientet e restorantit “La Bonta” në Bulevardin e Palmave në Lushnje, një grup personash u prezantuan si të interesuar për të investuar në platformat “Xuex”. Por, në të vërtetë, ata ishin agjentë të Policisë së Shtetit, të infiltruar për të zbuluar një rrjet mashtrimi financiar me bazë në qytet.

Hetimi disa-javor u konkretizua më 14 shtator, kur Policia dhe Prokuroria e Fierit finalizuan operacionin “Xuex”, duke goditur një skemë piramidale që mashtronte qytetarët përmes investimeve të rreme në kriptomonedha. Gjatë operacionit u sekuestruan celularë, kompjutera dhe shuma të mëdha parash, ndërsa u arrestuan disa persona që rekrutonin qytetarët përmes platformave të rreme dhe grupeve të mbyllura në Telegram.

Sipas IT-ekspertit Shahin Dokuzi, fakti që rekrutimi bëhej hapur, pa asnjë fshehtësi, lë vend për dyshime mbi një mbështetje të mundshme nga struktura që duhej ta parandalonin këtë veprimtari.

“Është absurde që mashtrimi ndodhi kaq publikisht. Kjo tregon se dikush ndoshta u garantonte mbrojtje”, u shpreh ai për emisionin “Vetting”.

Pavarësisht arrestimeve, kreu i grupit mbetet ende i paidentifikuar. Ekonomisti Artan Gjergji e konsideroi këtë një skemë klasike mashtrimi që nuk ka lidhje me tregun real financiar apo me kriptomonedhat:

“Tashmë nuk shënjestrohen qytetarët e huaj, por shqiptarët janë bërë objekt i mashtrimeve të tilla”, tha ai.

Në qendër të hetimeve është Arbër Çela, në banesën dhe lokalin e të cilit u gjetën para në valuta të ndryshme, pajisje elektronike dhe materiale që e lidhin drejtpërdrejt me aktivitetin e platformës XUEX. Ai pretendon se është viktimë, por në telefonin e tij janë gjetur gjurmë transaksionesh të shumta dhe reklama të hapura për platformën mashtruese.

Gazetarët do të siguronin një intervistë me një të ri nga Lushnja, i cili ka qenë viktimë e kësaj skeme.

Ky që vuri 1 mijë, s’po i tërheq dot lekët mbrapsht edhe s’ka marrë asnjë lekë edhe ky që ka. Janë 2 vëllezër edhe këta kanë investuar nga 2 mijë e 500 dhe s’i kanë marrë sepse nuk kanë shumë, kanë gati 3 javë që i kanë vendosur ato, s’po i marrim dot”, tha  viktima në kushtet e anonimatit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT