Rusia sulmon me dronë Kievin, 3 të vdekur dhe 18 të plagosur/ Mes viktimave edhe një foshnje

Rusia vijon sulmet ajrore mbi Ukrainën, duke shkaktuar viktima të pafajshme dhe dëme të rënda në Kiev. Tre persona, mes tyre një foshnje dhe një grua e re, humbën jetën, ndërsa 18 të tjerë mbetën të plagosur nga sulmet me dronë dhe raketa që goditën gjatë natës.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se një godinë qeveritare në qendër të qytetit u përfshi nga flakët pas bombardimeve.
Sipas tij, mes të plagosurve është edhe një grua shtatzënë, ndërsa një e moshuar gjeti vdekjen në një strehimore në distriktin Darnytskyi, në lindje të lumit Dnipro. Në zonën perëndimore të Sviatoshynskyt, disa kate të një pallati 9-katësh u shkatërruan pjesërisht, ndërsa u përfshinë në flakë një pallat 16-katësh dhe dy ndërtesa të tjera.
Fotografitë e publikuara nga shërbimet e emergjencës tregojnë pallate të shembura pjesërisht, fasada të rrënuara dhe banesa të përfshira nga tymi. Shefi i administratës ushtarake të kryeqytetit, Timur Tkachenko, akuzoi Moskën se po “godet me vetëdije civilët”.
Edhe qytete të tjera u tronditën nga shpërthime të fuqishme.
Në Kremenchuk, dhjetëra shpërthime lanë zona pa energji elektrike, ndërsa në Krivij Rih u goditën infrastruktura transporti dhe urbane, por pa viktima. Në Odesa, ndërtesa banimi dhe objekte civile u dëmtuan rëndë, me zjarre që përfshinë disa pallate.
Polonia aktivizoi forcat e saj ajrore dhe aleate për të garantuar sigurinë ajrore në perëndim të Ukrainës, teksa kërcënimi nga sulmet ruse mbetet i vazhdueshëm. Ndërkohë, Moska nuk ka komentuar ende për sulmet e fundit….
Që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022, mijëra njerëz kanë humbur jetën.