Njësoj si Berisha, edhe avokati i Malltezit: Kërkojmë pavlefshmëri absolute të të gjitha akteve të hetimit

Ditën e sotme në Gjykatën e Posame po zhvillohet seanca e parë gjyqësore për dosjen “Partizani” me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin dhe 3 të tjerë.

Njësoj si Berisha, edhe avokati i Jamarbër Malltezit ka kërkuar pavlefshmëri absolute të të gjitha akteve procedurale të kryera gjatë fazës hetimore.

Sipas mbrojtjes, Malltezi nuk implikohet me dy akuzat “korrupsion pasiv” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”, pasi sipas tij, në asnjërin rast nuk qëndron ligjërisht lidhja e klientit të tij me faktet.

Mësohet se gjatë seancës avokati Klodian Skënderi ngriti një pretendim duke kërkuar pavlefshmëri të vendimeve gjyqësore të marra gjatë hetimeve paraprake, me argumentin se ato janë firmosur nga një person pa titullin magjistrat.

“Kërkojmë që të shpallen të pavlefshme të gjitha vendimet gjyqësore të marra gjatë hetimeve, pasi janë firmosur nga një individ që nuk ka statusin e magjistratit. Akuza për korrupsion pasiv nuk ka asnjë lidhje me z. Malltezi. Ai nuk ka mbajtur kurrë një funksion publik që të përfshihet në këtë vepër penale. Ndërsa sa i përket akuzës për pastrim parash, është gjithashtu e pabazë dhe nuk ka lidhje me ndonjë vepër të mëparshme penale”, tha avokati i Malltezit.

Seanca për dosjen “Partizani” nisi në orën 10:45, ku i pranishëm është vetëm Malltezi, ndërsa të pandehurit e tjerë përfaqësohen nga avokatët. Në nisje të seancës kryetarja e trupit gjykues, Elsa Ulliri relatoi vendimin e gjyqtarit Erjon Çela që rrëzoi kërkesën për përjashtimin e trupës gjykuese të bërë nga avokatët e Sali Berishës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT