Një tjetër luftë në sfond? Inteligjenca amerikane: Kina drejt pushtimit të Tajvanit

Një raport i klasifikuar i inteligjencës ushtarake amerikane, i siguruar nga Australian Broadcasting Corporation (ABC), paralajmëron se Kina po ndërton me ritme të shpejta një flotë anijesh tragete komerciale të përshtatura për operacione ushtarake – me synim të qartë përgatitjen e një ndërhyrjeje të mundshme në Tajvan.
Raporti, i hartuar nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) për Pentagonin, vëren se tragetet e mëdha detare janë modifikuar për të transportuar tanke dhe trupa të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA), dhe janë përdorur në ushtrime zbarkimi amfib.
Vetëm në vitin 2022, rreth 30 anije të tilla u monitoruan nga rrjeti Five Eyes, një aleancë mes SHBA-ve, Britanisë, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re.
Sipas transmetuesit, pamjet satelitore tregojnë këto anije civile duke operuar krah për krah me një klasë të re dokesh zbarkimi, të ndërtuara në brigjet kineze, që mundësojnë zbarkimin e forcave dhe pajisjeve në breg.
Deri në fund të vitit 2026, Kina pritet të ndërtojë mbi 70 anije të tilla.
Zyrtarët amerikanë dhe aleatët e tyre i konsiderojnë tragetet si objektiva të mundshëm në një skenar konflikti, pavarësisht se ato drejtohen nga ekuipazhe civile.
Në një dokument të brendshëm, Komanda Indo-Paqësore e SHBA-ve shprehet: “Futja direkte e trupave në konflikt është akt lufte, por PLA duket e gatshme ta kryejë këtë përmes anijeve civile”.
Përfaqësuesi kryesor i Tajvanit në Australi, Douglas Hsu, konfirmoi për ABC-në se qeveria e tij i sheh këto zhvillime si pjesë të qëllimeve “ekspansioniste” të Kinës dhe theksoi rritjen e taktikave të “zonës gri” si sulmet kibernetike.