Një polic me integritet dhe profesionalizëm, kush është Eduart Merkaj, profesionisti që do të ketë sfidën e vështirë të shmangies së korrupsionit te uniformat blu

Eduart Merkaj ka qenë gjithmonë në hije, por që nga dita e sotme, zyrtari i policisë me një karrierë të gjatë brenda strukturave do të mbajë një pozicion të rëndësishëm në policinë e shtetit në krye të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore (AMP), një detyrë mbajtur më parë nga Florian Sulejmani që dha dorëheqjen në korrik 2025.

Si drejtues i Policisë Kufitare në Shqipëri, Merkaj ka qenë një prej njerëzve që dha maksimumin për “kufijtë e sigurt” e sidomos në koordinimin e ndihmës së marrë nga vendet partnere të BE nëpërmjet programeve të policimit.

Por në këtë detyrë e ka ndihmuar mjaft edhe eksperienca e tij e mëparshme dhe e gjatë në disa sektorë të policisë, duke e kthyer fuqishëm në një prej emrave më të trajnuar të policisë shqiptare, nga sektori i antikorrupsionit, tek shefi i forcës së posaçme operative apo drejtor i departamentit të policisë kriminale.

Fillimet kanë qenë gjithmonë më të vështira, por edhe shumë impenjuese, nëpërmjet mbledhjes së informacioneve dhe përpunimit të tyre kur ka drejtuar edhe drejtorinë për hetimin e krimit ekonomik financiar.

Duket se ka ardhur koha që me gjithë këtë barrë eksperiencë, Eduard Merkaj të punojë për më shumë profesionalizëm në strukturat e policisë së shtetit. Aty ku ka më shumë nevojë e ku opinioni publik gjithmonë është brymosur me idenë e “policit të korruptuar”. Ky është sektori më i nevojshëm për momentin që njerëzit, të rikthejnë besimin te strukturat, ndaj, kupola drejtuese vendosi që të nxjerrë sërish në skenë emrin e një profesionisti.

Përvoja e tij e gjatë në fushën e rendit dhe profesionalizmi duken se kanë qenë elementët kyç që sollën këtë përzgjedhje, pas një procesi të gjatë konsultimi. Ndaj detyra e kthimit të besimit të publikut te policia i është besuar një emri si Eduard Merkaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT