Nivel i lartë pesticidesh mbi normat e lejuara, AKU bllokon pjeshkat dhe rrushin nga Greqia

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konstatua një nivel të lartë të mbetjeve të pesticideve në dy produkte të importuara nga Greqia, në pjeshkë dhe rrush të kuq francez.

Të dy produktet janë konstatuar të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe janë raportuar menjëherë në sistemin evropian të sigurisë ushqimore RASFF.

Gjatë kontrollit, pjeshkat e importuara nga Greqia janë gjetur me mbetje të pesticidit Phosmet në nivele që tejkalojnë normat e lejuara. Për këtë arsye, operatorët e biznesit ushqimor janë urdhëruar të informojnë të gjitha subjektet ku janë shpërndarë produktet dhe të organizojnë kthimin e tyre nëse ato janë ende në gjendje.

Një tjetër rast ka të bëjë me rrushin francez të importuar nga Greqia, i cili është analizuar dhe ka rezultuar me mbetje të pesticidit Propamocarb mbi normat e lejuara. Ky produkt u gjet në një pikë shpërndarjeje në Lezhë, me një sasi prej rreth 800 kg.

AKU ka ndërhyrë duke bllokuar sasinë e mbetur në treg dhe duke nisur procedurat për asgjësimin e saj.

Njoftim i AKU për konsumatorin

Bazuar në kontrollet zyrtare të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka rezultuar se produkti pjeshkë, i importuar nga Greqia, pas analizimit është konstatuar me praninë mbi normë të mbetjes së pesticidit Phosmet, me risk për shëndetin e njeriut.

PËRSHKRIMI I PRODUKTIT:

Kategoria e produktit: fruta – perime

Emri i produktit: pjeshkë

Vendi i origjinës: Greqi

Operatori i biznesit ushqimor ka njoftuar subjektet, ku ka shpërndarë produktin, për kthimin e tij në rast se e kanë ende në gjendje.

AKU për këtë rast ka bërë njoftimin përkatës pranë kategorisë së Njoftimeve RASFF.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT