Miratohet në Kuvend kalendari i Punimeve për 3 javët e ardhshme, opozita braktis sallën

Parlamenti ka nisur me debate që në nisje në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit që është miratuar në seancat e kaluara. 

Deputetë të opozitës kërkuan debat dhe u shprehën se nuk kanë në dispozicion rregulloren e re të Parlamentit. Më pas, PD braktisi sallën, ndërsa Kuvendi miratoi Kalendarin e Punimeve për 3 javët e ardhshme. 

Ndërkohë, kryeparlamentari Niko Peleshi u kundërpërgjigj duke thënë se rregullorja e re u është shpërndarë deputetëve si dhe gjendet në faqen online të Parlamentit. 

Megjithatë, Peleshi u kërkoi shërbimeve të kuvendit që të marrin masa nëse ka deputetë të cilët nuk kanë dispozicion rregulloren. 

Në seancën e sotme në rend dite është miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar, ku u votua përbërja e 11 Komisioneve Parlamentare, që më pas do t’i hapë rrugë nisjes nga puna të komisioneve. 

Ndërkohë në orën 10:00 u mblodh Konferenca e Kryetarëve ku u diskutua për përcaktimin e rendit të ditës. Në mbledhje pati debate mes pjesëmarrësve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. PD ka kërkuar Mocion me Debat mbi programin e qeverisë, pra përsëritje të seancës së 12 shtatorit. 

Ndërkohë tonet janë ngritur dhe për raportimin e institucioneve të drejtësisë. Për shembull, Partia Socialiste ka propozuar që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK të raportojnë dhe në Komisionin e Ligjeve por edhe në Kuvend, propozim ky që është kundërshtuar nga PD-ja. 

Sakaq, diskutimi për projekt draftin e Kodit të ri Penal si dhe raportimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë, janë përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe pritet të kalojnë në Parlament javët e ardhshme. 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT