“Legenat e bashkisë na surprizuan”, Bushati: Rama yshti SPAK-un, donte ta hiqte qafe Veliajn prej kohësh! (MESAZHI I KODUAR NË ASAMBLE)

Analisti Andi Bushati e ka quajtur “legenllëk këshilltarësh” veprimin e socialistëve të bashkisë që i bënë gati letrat Erion Veliajt për ta shkarkuar. Sipas Bushatit, Edi Rama është ai që donte të hiqte qafe Veliajn si politikan.
Analisti shton më tej se kryesocialisti Edi Rama yshti SPAK-un, mori frenat e bashkisë dhe tani po e shkarkon.
Sakaq, analisti Bushati aludon se nuk e dimë nëse ka një komunikim të nëndheshëm Rama-Veliaj, duke nënkuptuar se kreu i qeverisë paralajmëroI Veliajn të mos flasë ndonjë gjë që s’duhet nga Asambleja e PS.
“Ishte kuptuar qartë prej vitesh, tani është fakt që pas linçimit politik të Veliajt qëndron Rama, për arsye të veta. Rama që yshti SPAK, ai që mori frenat e bashkisë dhe tani që shpalli shkarkimin tij.
Veliaj qoftë edhe për t’u dukur se atij po i bëhet padrejtësi, po bën këto manovrat. Veliaj dhe avokatët luajnë me terma të largët, Gjykata Kushtetuese e Strasburgu e duan të vihen në lëkurën e një personazhi politik që po i merret mandati.
E vetmja surprizë është legenllëku i këshilltarëve bashkiakë. Ata janë pjesë e skuadrës së Veliajt, që na kanë shurdhuar për mrekullinë në Tiranë, 5 Majin, prishjen e teatrit, e kanë ngritur Veliajn lart sa s’imagjinohet ta bëjnë njerëz normal, janë të njëjtët që me një firmë mohojnë dinjitetin e tyre.
Veliaj është mes dy zjarresh. Nga njëra anë do të ketë një dosje me shkelje kundër tij, që më shumë do lehtësohet në shkallët supreme të gjykimit të tij.
Para tij e kanë ditur edhe Koka, Bllako, Ahmetaj, që po u prishe me Ramën s’del më nga burgu. Në qëndrimin e Veliajt duket ky paradoks.
Edhe Rama vetë e interpreton se ka një problem ligjor, dhe pse nuk priti zgjidhjen e problemit. Ramës kjo i intereson pak. Ramës s’i intereson më nëse Tahiri është në burg apo qytetar i lirë që ka vendosur të bëjë biznes.
Rama pasi e ka vrarë politikisht, a mbetet apo jo në burg, s’i intereson fare. Rama s’do ta ndëshkojë fizikisht Veliajn, por do ta hiqte qafe si politikan. Nga SPAK deri tek anëtarët e këshillit bashkiak.
Kur shpall qeverinë, Rama e ka moment solemn, fakti që shpalli qeverinë e tha do shkarkojmë Velaijn, ka një kontraditë që duhet shpjeguar se përse e bëri Rama në këtë moment.
Ne s’e dimë komunikimin e nëndheshëm Rama-Veliaj, nëse flet apo lëshon diçka, apo po e paralajmëron?! Ndryshe nga 10 muaj më parë kur Veliaj u arrestua, sot më shumë njerëz janë të bindur që pas kësaj goditjeje qëndron Rama.
Ishte ai që e kërkoi i parë, që theu standardin që mund të shkarkohet ose jo, që e kërkoi, ishte Rama që për kryebashkiakë të tjerë s’ka kërkuar shkarkim.
Shqetësimi s’është qytetari apo punët e Tiranës, por të përfundojë ciklin politik të goditjeve të Veliajt. Fakt politik, kemi një kryeministër që e ka hedhur përtej kufizimin e detyrës së tij, bën kryebashkiakun, kreun e SPAK.“-tha Bushati.