“Kreshnik, prehu i qetë!”, fëmijët marrin dhuratën e jetës, surprizë fantastike edhe nga Aurela Gaçe

Tre fëmijët e Kreshnik Tomanit, i cili humbi jetën tragjikisht në moshë të re, kanë marrë një dhuratë që u ndryshoi jetën: një shtëpi të re dhe të sigurt. Kjo u realizua falë kontributit të mijëra shqiptarëve zemërgjerë përmes emisionit “Për Shqiptarët”, ku u përmbush edhe amaneti i fundit i Kreshnikut, që fëmijët e tij të kishin një strehë të denjë dhe një të ardhme më të mirë.

Në një atmosferë të mbushur me emocione të forta, dy vajzat dhe djali i vogël, të veshur me bluza që mbanin portretin e të atit, u përqafuan me të ëmën ndërsa publiku dhe ndjekësit e emisionit përjetuan një nga momentet më prekëse të këtij sezoni.

Themeluesi i Fondacionit “Firdeus”, Elvis Naçi, ishte i pranishëm në studio ku shtypi butonin simbolik që shpalli zyrtarisht dhurimin e banesës. Me fjalët e thjeshta por të mbushura me domethënie: “Ta gëzoni shtëpinë tuaj të re!”, ai kurorëzoi një moment që do të mbahet mend gjatë.

Surpriza vazhdoi me këngëtaren e njohur Aurela Gaçe, e cila u ngjit në skenë për të përmbushur një tjetër ëndërr. Ajo i dhuroi Nikitës, vajzës 10-vjeçare të Kreshnikut, një bursë të plotë për kurs pianoje, një hap i parë drejt realizimit të dëshirës së saj për t’u bërë këngëtare, pasion që i ati e kishte mbështetur me çdo sakrificë.

Ky gjest solidariteti dhe dashurie njerëzore është një shembull i fuqisë së bashkimit dhe ndihmës së ndërsjellë, që nuk sjell vetëm ndihmë materiale, por edhe shpresë, motivim dhe dritë për të ardhmen.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT