Këshilltari i opozitës merr në “mbrojtje” Veliajn dhe tregon prapaskenat: PS ka luftë të brendshme, ju doni ta “hiqni qafe” shokun tuaj

Këshilltari i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollari i ka dalë në “mbrojtje” Erion Veliajt për të cilin tha se se procedura për shkarkimin e Erion Veliajt është e gabuar.
Gjatë fjalës në Këshillin Bashkiak, Topollaj ka zbuluar se brenda PS-së po bëhet një luftë e brendshme dhe shkarkimi i Veliajt është kërkuar për të “hequr qafe” kryebashkiakun në detyrë.
“Kjo që jeni duke bërë ju nuk është shkarkimi siç do deshte një kundërshtar politik. Një kundërshtar do donte ta mundte aty ku zhvillohen betejat politike, madje ka trajtat e një lufte brenda llojit. Sepse procedura që kemi zgjedhur për ta shkarkuar është krejtësisht e gabuar, Kushtetuta përcakton që kryetari i bashkisë shkarkohet vetëm nga Këshilli i Ministrave kur konstatohet shkelje e ligjit.
Ju po e shkarkoni se ka bërë ca mungesë në punë. Ju e mburrët punën e tij dhe propozoni shkarkimin e tij. Kushtetuta e ka të përcaktuar se si shkarkohet një kryetar bashkie. Keni zgjedhur një mënyrë të gabuar për të përmbushur një nevojë të Kryeministrit, por që do ta bëjë nëpërmjet duarve të këshillit bashkiak një gjë që e ka ai në kompetencë.
Rasti i mungesës 3-mujore është rasti kur kryetari i bashkisë mungon pa arsye në detyrë. Unë mendoj që Erion Veliajt duhet të ndiqet nga Prokuroria për shumë më shumë gjëra. Por sot Erion Veliaj është i pafajshëm dhe nuk mund të shkarkohet për sa kohë po ndiqet penalisht dhe është i pafajshëm. Kjo ndodh për të larë hesapet brenda llojit dhe për të “hequr qafe” Erion Veliajn njëherë e mirë dhe kjo është arsyeja pse nuk ndihem i kënaqur me këtë që po ndodh në këshillin bashkiak. Ju brenda PS keni luftë të brendshme për ta eliminuar politikisht shokun tuaj”, tha Topollari.