Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë: Njohim vetëm dy gjini, kjo nuk e pengon integrimin në BE

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përbërë nga pesë komunitetet, pasi është njohur me projektligjin “Për barazinë gjinore”, mblodhi sot  Bordin e Presidencës, së bashku me një grup pune të miratuar nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate për shtyp. 

Krerët e të gjitha komuniteteve pjesëtarë të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me këtë projektligj, për shkak se bie në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare, sipas deklaratës për shtyp të bërë nga KNFSH. 

Anëtarët e KNFSH janë shprehur se nenet që kanë në përmbajtje përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim. 

“Ne, si komunitete fetare, theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj, duke e lidhur qartë me gjininë e përcaktuar në lindje – burrë, grua, vajzë, djalë – në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit”, ka deklaruar Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë. 

Në deklaratë po ashtu thuhet që njohja e vetëm dy gjinive nuk përbën asnjë pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE si edhe është shprehur dëshira që që shqetësimet e parashtruara të merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse si edhe jjanë shprehur të hapur për dialog. 

Deklarata e plotë: 

Komunitetet fetare në Shqipëri vlerësojnë rëndësinë e barazisë në përfshirjen sociale dhe në mosdiskriminim, sepse kjo pasqyron barazinë e dinjitetit, që të gjithë njerëzit kanë përpara Zotit. 

Nisur nga këto parime dhe bazuar në të drejtat e tij statutore, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përbërë nga pesë komunitetet fetare (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), pasi u njoh me projektligjin “Për barazinë gjinore”, mblodhi sot më 23 shtator 2025 Bordin e Presidencës, së bashku me një grup pune të miratuar nga pesë komunitetet fetare, të përbërë nga specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. 

Krerët dhe drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, të cilat bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare. Në veçanti, përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim. 

Ne, si komunitete fetare, theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj, duke e lidhur qartë me gjininë e përcaktuar në lindje – burrë, grua, vajzë, djalë – në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit. 

Komunitetet fetare kanë mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian. Njohja tradicionale e dy gjinive nuk përbën pengesë për këtë proces – fakt që reflektohet edhe në praktikat e shumicës së shteteve anëtare të BE-së, të cilat vazhdojnë të përdorin një përkufizim binar burrë–grua. 

Me dëshirën që këto shqetësime të merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse, riafirmojmë angazhimin tonë për dialog dhe bashkëpunim në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të sigurt për brezat e rinj, duke u mbështetur në besimin te Zoti dhe respektin për ligjin. 

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj! 

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë 

Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë 

Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë 

Imzot Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë 

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane 

Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT