Ish-drejtori i Tatimeve në krye të FSDKSH?! Artur Papajani sqaron ngatërresën, “Barnat” i merr në dorë zyrtari Arti Papajani

Emërimi i drejtuesit të ri të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) është kthyer dje në një episod sa të çuditshëm aq edhe joprofesional për mediat, të cilat duke ju gëzuar lajmit të fundit dhe pretendimeve për “blerje” të PS nga demokratët, kanë ngatërruar drejtuesin.
Sipas tyre, ish-zyrtari i lartë i Partisë Demokratike që gjatë qeverive të drejtuara nga Sali Berisha kishte shërbyer si Drejtues i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, kishte kaluar në radhët e së majtës dhe i ishte besuar drejtimi i FSDKSH.
Mirëpo, ky i fundit ka sqaruar vet gjithë situatën duke thënë se nuk i di as emrin institucionit, e jo më të jetë emëruar drejtues. Në fakt, personi që do të drejtojë Fondin e Barnave është Arti Papajani, i cili aktualisht mban post drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
“Për një sqarim publik. Më njoftojnë disa miq, por edhe portale, që qenkam emëruar drejtor! Në një institucion që unë nuk i di as emrin tamam. Për të qeshur se s’kemi pse qajmë!
Por, shyqyr dhe falënderoj zotin që mendjen, jo vetëm na e ka lënë në vend, por edhe na e ka thelluar gjykimin. Nejse, ky sqarim është për të gjithë miqtë e rrjetit tonë”, sqaron Artur Papajani.