Goditi murin e qelisë me duart e mbështjella me çarçaf, detaje se si Bledar Selmanaj tentoi të arratiset: Përmes tubave arriti në tarracën e burgut, kishte litar me vete..

Drejtoria e Policisë së Burgjeve ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me tentativën për arratisje të së paraburgosurit Bledar Selmanaj.
Mësohet se Selmanaj ka tentuar që të dalë nga burgu i Fierit përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.
Gjatë ndalimit Selmanaj ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, ndërkohë që u bë i mundur neutralizimi i tij dhe shoqërimi në ambientet e izolimit.
Ashtu sikurse bëmë me dije dhe më herët, Selmanaj ka tentuar që të arratiset Fierit duke goditur murin e qelisë në katin e parë dhe duke hapur një të çarë të mjaftueshme për të dalë. Burime për mediat bëjnë me dije se pasi ka mbështjellë duart me peshqir e çarçafë, ka goditur murin dhe ka hapur një të çarë nga e cila më pas ka dalë në tarracën e burgut.
Gjatë tentativës për arratisje, Bledar Selmanaj kishte një litar me të cilin planifikonte të zbriste dhe të vazhdonte lëvizjen për t’u larguar nga qelia, mirëpo ky plan i tij u “shkatërrua” nga stafi i sigurisë të cilët arritën ta kapin dhe menjëherë e dërguan në izolim.
Selmanaj ka tentuar edhe dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive.
Bledar Selmanaj është dënuar për vrasjen e shokut të tij 25 vjeçar atëkohë, Xhulian Bullari. I riu u gjet i vdekur në aksin Vlorë-Babicë, në një makinë tip “Fiat Punto”, ku sipas ekspertizës rezultoi se ai është qëlluar me tre plumba nga pasagjeri.
Vrasësi që tentoi arratisjen është pikërisht personi që ndodhej pasagjer në mjet dhe kreu vrasjen e Xhulian Bullarit. Ai u arrestua në zonën e Bllokut në Tiranë në kuadër të operacionit policor “Babica” dhe vrasjen e kreu pas prishjes së pazareve të drogës.
Bledar Selmanaj ka deklaruar para grupit hetimor se kishte ndërmjetësuar për shitjen e 100 kg drogë te miqtë e Bullarit, por këta të fundit e kishin bërë pagesën me para false.
Kush është Bledar Selmanaj?
Bledar Selmanaj është një emër i njohur për autoritetet ligjzbatuese, i lidhur më herët me një sërë vjedhjesh në argjendari dhe banesa në kryeqytet. Ai është identifikuar si një hajdut serial, me një dosje të gjatë në drejtësi.
Së fundmi, Selmanaj u arrestua në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, i dyshuar si autor i vrasjes së 25-vjeçarit Xhuljan Bullari, ngjarje e ndodhur në qytetin e Vlorës. Të dy ishin miq, por dyshohet se konflikti mes tyre përfundoi me një ekzekutim makabër.
Sipas hetimeve paraprake, Selmanaj e qëlloi për vdekje Bullarin brenda një automjeti, duke e goditur me plumb në kokë. Dy ditë pas ngjarjes, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, Selmanaj publikoi një status ku pretendohej se ishte biznesmen.
Policia gjeti armën e krimit të groposur në oborrin e banesës së tij në Vlorë, së bashku me veshjet që kishte përdorur ditën e vrasjes. Materialet hetimore janë referuar tashmë Prokurorisë, ndërsa Selmanaj ndodhet në paraburgim në pritje të zhvillimeve të mëtejshme ligjore.
Reagimi i plotë i Drejtorisë së Burgjeve:
Deklaratë për Shtyp
Më datë 24.09.2025, rreth orës 03:48, i paraburgosuri Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset.
Ai ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.
Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Ky shtetas ka tentuar edhe dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron dhe garanton një nivel të lartë sigurie dhe mbarëvajtje të qetë në sistemin e burgjeve.