Gazetarja zbulon detaje të forta për masakrën e Shkodrës: Autori me dy armë, këpucë rezervë e antiplumb! Çfarë u gjet në banesat ku dyshohet se janë porositësit

Gazetarja Anduena Llabani, ka komentuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, vrasjen që tronditi Shkodrën mëngjesin e kësaj të hëne.
Shënjestër e atentatit ishte Erogen Brajoviç, i cili u plagos së bashku me Meri Kacerin ndërsa mbetën të vdekur Liridon Kraja dhe Armando Pali.
Llabani tha se autori Ragip Gila e kishte mirëmenduar gjithçka me detaje pasi në çantë i janë gjetur këpucë rezervë dhe bidonë me benzinë me qëllim që të digjte provat e ngjarjes.
“Nuk ka ende një pistë konkrete. Flitet për një dëshmi ku vetë autori deklaron se e kam bërë sulmin se jam ndjerë i fyer dhe shkova të marr hakun. Autori e ka organizuar ngjarjen me detaje. Në çantë i janë gjetur këpucë rezervë, bidonë me benzinë.
Ishte veshur me antiplumb nga veshkat e poshtë. Kjo tregon se e kishte mirëmenduar gjithçka. Duke e patur të skeduar këtë personazh, policia e ka ditur që ai nuk ka patur gjendje ekonomike për të krijuar arsenal armësh dhe për të bërë vrasje perfekte.
Në tre banesa që janë kontrolluar, janë gjetur 6 pistoleta me dy krëhëra me fishekë, një kallashnikov, katër dronë të cilësisë së lartë.
Banesat janë të dyshuara ku mund të jenë personat që kanë porositur ngjarjen. Policia është e vetëdijshme që një ngjarje e tillë është paguar.”-tha Llabani.