Gazetarët kërkojnë rrogat prej 5 muajsh, por në RTSH shpenzonin shuma marramendëse për “garderobën e artë”

Radio Televizioni Publik Shqiptar është zhytur në krizë të thellë financiare ku prej më shumë se 5 muajsh punonjësit nuk janë paguar duke nisur nga sanitarët deri tek moderatorët që kanë për të marrë në disa raste pagesa që shkojnë mijëra euro.
Pas shqetësimeve të ngritura nga gazetarët, moderatorët, edhe drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili e pranoi se ekziston një “situatë katastrofike borxhesh dhe detyrimesh” në televizionin publik që “vjel” taksa edhe nga familjet shqiptare të cilave pavarësisht nëse e ndjekin ose jo, u faturohet pagesa tek fatura e energjisë elektrike.
Por pavarësisht “varfërisë” dhe pamundësisë për të paguar punonjësit, drejtuesit e RTSH-së shihet teksa shpërdorojnë paranë për veshje të shtrenjta për drejtuesit e emisioneve që edhe vetë ata punojnë “veresie”.
Një paradoks i pabesueshëm ku punonjësit nuk marrin pagat, ndërsa bie në sy shpenzime të majme për veshjen (kostume, këmisha apo pantallona) të porositura pranë stilistit të njohur Altin Micit, ku nuk ekzistojnë kontrata të mirëfillta por porosi sipas “qejfit” dhe aspak serioze për një kompani mediatike.
Së fundmi “Albania Post” ka publikuar një listë ku bie në sy “garderoba e artë” që veshin moderatorët e RTSH-së.
Disa porosi janë pjesë e dokumentit, përfshi një faksimil ku kostumet shkojnë në vlerën e 1 mijë eurove copa dhe këmishat në vlerën e 250 eurove copa. Për më tej, edhe rreth një anomalie si listimi i shamive të xhaketave në vlerën e 50 eurove copa.
Një tjetër tregues i abuzimeve që kanë ndodhur me RTSH-në dhe e kanë dërguar në gradën e sotme të një situate kritike institucionin kryesor mediatik në vend, pa menduar se si pakujdesia me menaxhimin e fondeve, deri në detaje për garderoba të tilla me vlera përtej normales.