“E mbajtën gjithë natën në polici”, Kryemadhi akuza ndaj prokurorëve: SPAK shantazhoi dëshmitarin kundër meje dhe Metës

Ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka hedhur akuza ndaj SPAK-ut dhe prokurorëve të “godinës së qelqtë”, që sipas saj, kanë intimiduar dëshmitarët.
Sipas kryemadhit, një dëshmitar i ardhur nga Kanadaja është mbajtur nën presion gjithë natën në polici dhe më pas ka dëshmuar në SPAK kundër saj dhe Ilir Metës.
“Edhe personi tjetër që ka bërë shitjen e apartamentit të mamasë time. Sapo ka zbritur nga avioni erdhi nga Kanadaja është mbajtur ne SPAK është mbajtur për orë të tëra dhe është intimiduar. I kanë mbajtur gjithë natën në polici, pastaj i kanë dërguar në prokurori. Më pas u kanë thënë ikni e shplodhuni se do ju thërrasim prapë. Sepse vetë metodologjia që ka përdorur SPAK në këtë çështje nuk ka qenë për të zbardhur për të vërtetën, por për të marrë qoftë edhe një deponim me një klauzolë ose një fjali, që ka të bëjë”, tha Kryemadhi.
Po ashtu, Kryemadhi përmendi dëshminë e Kastriot Ismailit, i cili sipas saj, ka pohuar se dëshmia e bashkëshortes së saj nuk është e vërtetë dhe se ka ardhur nga një moment emocional.
“Kam dhe dëshminë e Kastriot Ismailit i cili thotë se, dëshmia e bashkëshortes time nuk janë të vërteta se kanë ardhur nga një moment emocional. Dëshmia e bashkëshortes së Kastriot Ismailit është regjistruar nga një gazetar, nuk është dëshmi e dhënë para SPAK-ut”, tha ndër të tjera Monika Kryemadhi në SYRI TV.