Dumani në zyrën e Lamallarit, “shpërthen” Gaz Bardhi: Propagandë e pandodhur më parë! Ç’lidhje ka SPAK me prioritetet e Qeverisë së korruptuar?

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar ashpër ndaj takimit që kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani ka zhvilluar këtë të hënë me ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, në zyrën e këtij të fundit.
Sipas tij, SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.
“Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë”, shkruan ndër të tjera Gazment Bardhi, duke theksuar se prioritet e qeverisë nuk kanë lidhje me prioritetet e SPAK.
Politikani demokrat thekson fort se SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor duhet edhe të duket që ekziston.
Lexoni reagimin e plotë të kreut të Grupit të PD, Gazment Bardhi:
Marrëdhënia e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me segmente të Ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji. Marrëdhënie të tilla institucionale nuk duhet të ndodhin për nevoja propagande të Ekzekutivit, sepse SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.
Askund, por askund nuk parashikohet se me drejtuesin e SPAK ndahen prioritetet e Qeverisë dhe aq më pak që ky i fundit dëgjon prioritetet e programit të Qeverisë. Ç’lidhje ka SPAK me prioritetet e Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, kur në fakt prioritet i saj duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit qeveritar?
SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor duhet edhe të duket që ekziston. Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë.