“Dua ta përqafoj Diellën”, Korreshi ironizon ministren virtuale: Rama po tallet me popullin që s’ka bukë të hajë

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka komentuar situatën politike, aksionin opozitar si dhe nuk ndal kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama.

Gjatë intervistës në “News24”, Korreshi tha se qeveria nuk është asgjë tjetër veçse “qokë personale” e kryeministrit dhe tallje me popullin.

“Jemi në gjendje alarmante. Nëse nuk ka drita, qysh do punojë Diella, si do ia gjejnë. Këta janë të shqetësuar për Diellën, por çështja është se si do ia bëjnë kur të mos ketë drita dhe kur t’i hiqet priza. Sepse këtej nga jam unë, në Lushnjë, ikin shpesh dritat, nuk ka energji. Ose kemi kryetar bashkie nga Cërriku që hiqet dhe vihet ministër Bujqësie. Ose ministrin e ri të Drejtësisë, e heqim nga e Brendshmja dhe e çojmë atje sepse ka bërë ca punë te Sorosi atje. Le të themi se janë bërë qoka personale me këto emërimet e ministrave”, u shpreh Korreshi.

Korreshi e vijoi ironinë e tij ndaj ministres virtuale, teksa u pyet se përse e kundërshtonte teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.

“Kam shumë qejf ta përqafoj por nuk di se si dhe ku ta përqafoj, nuk kam përqafuar ndonjëherë diell. Njerëzit nuk kanë bukë të hanë, s’kanë pensione, ai thotë Diella. Ty nuk të punon ende e-Albania, do presësh nga Diella. Sa të rrotullohet ajo kur të mos ketë internet, do presim. Unë mendoj se kjo është tallje me miletin”, u shpreh Korreshi.

Ai iu kthye edhe seancës plenare ku u votua programi i qeverisë dhe kabineti i ministrave, duke e quajtur të turpshme dhe shkelje të Kushtetutës.

“Ju e patë se çfarë ndodhi në Parlament, në atë seancë të turpshme, ku opozita u pengua dhe u provokua në mënyrë banale. Shoku Peleshi nga ana tjetër e patë se si e pengoi zotin Bardhi të mbante fjalën e tij, ndoshta kishte vendosur një bast me Ramën.  U shkel Kushtetuta, mediat u penguan edhe të mbledhja e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, gazetarët duhet të ishin prezent. Duhet të pritej një javë para se të kalohej në Parlament. Peleshi shkeli Kushtetutën e Shqipërisë. Kushtetuta nuk mund të shkelet”, tha ligjvënësi, duke shtuar edhe problematikën e heqjes së Komisionit të Integrimit nga drejtimi i opozitës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT