“Diella” jehonë në mediat ndërkombëtare, Lubonja: Iu tregoj kush është “taktika” e fshehtë e Ramës me ministren virtuale

Analisti Fatos Lubonja është përfshirë në debatin publik teksa ka komentuar “Diellën”, si ministren e parë virtuale pjesë të kabinetit “Rama 4”.
Gjatë intervistës në “News 24”, Lubonja tha se “Diella” është një taktikë e Ramë për të krijuar imazhin se në Shqipëri po luftohet korrupsioni ndërsa në realitet, sipas tij, po ndodh e kundërta.
Lubonja tha se jehona që ky lajm bëri në disa media ndërkombëtare tregoi se Rama ka krijuar një “network” i cili pengon gazetarët që të investigojnë thellë në realitetin shqiptar.
“Kur fola për 4 këmbët e pushtetit të Ramës fola dhe për mbështetjen ndërkombëtare. Që të fitosh mbështetjen ndërkombëtare duhet të kesh aftësi që ky i ka më shumë se të tjerët. Ndër to janë dhe këto operacionet që shfaqet si një artist, si piktori që po revolucionarizon një vend të prapambetur si Shqipëria dhe e mban këtë narrativë. E mban me lidhjet e tij dhe fuqitë financiare.
Po të shohësh lajmin për Diellën e dha dhe “The Guardian” dhe të nesërmen e morëm vesh se Tony Blair mund të ketë lidhje këtu i përfshirë këtu. Pra është ky ‘network’ që i pengon këta gazetarë që të futen thellë në realitetin shqiptar.
Ti mund të bësh një artikull që në Shqipëri është vendosur një ministër me AI që do të luftojë korrupsionin me tenderat. Si ka mundësi që vendi më i korruptuar në Evropë, na del më i avancuari për të luftuar korrupsionin. Është e pabesueshme të mendojmë ne që Edi Rama të heqë dorë nga klientela e tij dhe tja lërë një gjykatësi të paanshëm të vendosë se kush do e marrë tenderin. Nëse do të japësh një leje ndërtimi e do të jesh i ndershëm do të pyeste se ku i siguroi paratë”, u shpreh Lubonja.