Dëshmia e James Rubin në Hagë, reagon Rama: Liria ka emër! (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama ka përzgjedhur një klip nga dëshmia e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe shkruan: LIRIA KA EMËR! Nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare…
Në klipin e ndarë nga Rama, Rubin ngre shqetësime për ndikimin politik në gjyqin ndaj Hashim Thaçit.
“Fakti që i akuzuari ka qenë në burg për pesë vjet, pasi vullnetarisht u ofrua të paraqitej në gjykatë në një kohë kur ishte gati të bënte një marrëveshje paqeje me udhëheqësin serb, më shqetësoi. Që politika të ndërhyjë në sundimin e ligjit, kjo më shqetëson. Më shqetëson që ai do të ishte në burg për pesë vjet përpara se një çështje të mund të fillonte dhe nuk i ishte dhënë asnjë Lirim me kusht.”, janë fjalët e tij.
Gjatë dëshmisë së tij, James Rubin e kritikoi mbajtjen pesëvjeçare në paraburgim të Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke vënë në dyshim saktësinë e disa shkrimeve dhe përshkrimeve të OKB-së mbi situatën në Kosovë.
Ai gjithashtu përmendi se SHBA-ja fillimisht e konsideronte UÇK-në si organizatë terroriste dhe nuk i kujtohej nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit në Rambuje.