Danimarka po ndihmonte me karburant Ukrainën, mbrëmjen e djeshme u mbyllën dy aeroporte për shkak të dronëve mbi hapësirën ajrore (ALARMI)

Mbrëmjen e djeshme mbi dy aeroporte daneze janë parë dronë të cilët kanë çuar në alarmimin e autoriteteve vendase dhe pezullimin e punës me avionët civilë në dy aeroportet, citon agjencia e lajmeve Reuters.
Dronët prekën instalime ushtarake dhe pretendohet se ishin sulme hibride me synim përhapjen e frikës, megjithëse autoritetet nuk identifikuan dot autorët.
Ky është incidenti i dytë brenda dy ditësh në danimarkë dhe autoritetet e shohin si një model të ndërhyrjeve ruse, që ka ekspozuar cënueshmërinë e hapësirës ajrore europiane në një kohë tensioni të lartë midis Moskës dhe NATO-s.
Polonia rrëzoi dronë të dyshuar rusë në hapësirën e saj ajrore më 10 shtator. Autoritetet daneze thanë të enjten se vendosën të mos rrëzonin asnjë nga dronët në hapësirën e tyre ajrore për arsye sigurie, pavarësisht pengesave që iu shkaktuan trafikut ajror.
Ambasada e Rusisë në Kopenhagen e hodhi poshtë si “absurde” spekulimin mbi përfshirjen e Moskës në shkeljet ajrore të Danimarkës.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se të enjten kishte folur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mbi incidentet me dronë dhe se ishin pajtuar të punonin së bashku për sigurinë.
Dronë u panë gjithashtu pranë aeroporteve të Esbjergut dhe Sonderborgut, si dhe mbi bazën ajrore Skrydstrup, ku ndodhen avionët luftarakë F-16 dhe F-35 të Danimarkës, si dhe mbi një instalim ushtarak në Holstebro, konfirmoi policia. Të gjitha këto ndodhen në rajonin perëndimor të Jutlandit.
“Kjo tregon të paktën se për momentin nuk kemi kapacitet për të parandaluar depërtimin e dronëve mbi aeroportet tona”, tha për Reuters Peter Viggo Jakobsen, pedagog i asociuar në Kolegjin Mbretëror të Mbrojtjes në Danimarkë.
Shkeljet vijnë pasi Danimarka këtë vit rriti buxhetin e saj ushtarak për të adresuar mangësi të theksuara. Javën e kaluar, njoftoi planet për të blerë armë precize me rreze të gjatë, ndërkohë që vendimi për të pritur prodhimin e karburantit për raketat ukrainase pranë bazës ajrore Skrydstrup ka nxitur kritika nga Rusia.
Policia tha se dronët ndoqën një model të ngjashëm me ata që ndaluan fluturimet në aeroportin e Kopenhagës gjatë natës të së martës.