“Bleta” që spikati pranë Ramës që në vitet 2000, sot garon për ish-zyrën e Edit! VIDEO VIRALE: Kur Manastirliu surprizonte live kryetarin e Bashkisë Tiranë

Ogerta Manastirliu u shtang dje para socialistëve, kur Edi Rama tha se ajo nuk do të ishte më pjesë e kabinetit të tij qeveritar, por do të jetë kandidatja e PS për Bashkinë e Tiranës. Shtangjen e saj e kuptoi dhe vetë Rama, kur tha se këtë herë ajo nuk do t’ia falte kollaj.

Pavarësisht se duket si një marrëdhënie sipërfaqësore, bashkëpunimi i Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut ka nisur më shumë se dy dekada më parë, kur ajo ishte punonjëse e thjeshtë në Bashkinë e Tiranës, ndërsa ai kryetar.

Me punën e saj, ajo ngjiti një nga një shkallët e karrierës dhe u bë bashkëpunëtore e afërt e Edi Ramës. Kjo duket mes të tjerash edhe në një video që është bërë virale në rrjetet sociale pas shpalljes së kandidaturës së Manastirliut për Bashkinë e Tiranës.

Pamjet janë mes viteve 2000-2004 kur Edi Rama ishte zgjedhur kryebashkiak dhe stafi kishte vendosur t’i bënte suprizë live gjatë emisionit “Opinion”. Personi që mori fjalën dhe ia dorëzoi dhuratën në skenë, ishte pikërisht Ogerta Manastirliu.

“Ne si staf i zotit Edi Rama, kemi përgatitur një dhuratë, nëse mundemi?!”, dërgohet të thotë ajo. “Silleni vetë atëherë”, ia kthen moderatori Blendi Fevziu dhe e fton në skenë.

Ajo u bë për vite me radhë bashkëpunëtore e ngushtë e Edi Ramës dhe kur socialistët morën pushtetin në 2013, Manastirliut iu besua drejtimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Ajo e drejtoi këtë institucion për 4 vite me radhë dhe për punën e saj, Edi Rama e vlerësoi me çmimin “Bleta e Artë”.

Në mandatin e dytë të qeverisë socialiste, Ogerta Manastirliu u emërua ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, post të cilin e mbajti përgjatë periudhës 2017- 2023. Prej muajit Shtator 2023 mbante postin e Ministres së Arsimit dhe Sportit, të cilin e dorëzoi dje për të garuar për Bahskinë e Tiranës.

Më shumë se dy dekada pasi hyri për herë të parë në Bashkinë e Tiranës, nën drejtimin e Edi Ramës, Ogerta Manastirliu do të tentojë të rikthehet sërish, por tashmë për ta drejtuar nga zyra e ish-shefit të saj.

© Newsbomb.al

Back to top button
LAJMET E FUNDIT