Atentati në Shkodër, Berisha: Shkodra në “kthetrat” e krimit! Vrasësi u lirua nga Taulanti për të vazhduar punën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas atentatit tragjik të ndodhur mëngjesin e së hënës në Shkodër ku humbën jetën Liridon Kraja dhe Armando Pali.
Gjatë një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se Shkodra ndodhet në breshërinë e krimit ndërsa përgjegjës për ngjarjen kriminale ka bërë “Taulantin”, i cili sipas tij, ka legjitimuar “punën” e autorit të dyshuar të krimit Rakip Gila.
“Shkodra në mëshirën e breshërive të krimit. Miq, sot në mëngjes masakra e radhës me dy të vdekur dhe dy të plagosur. Në mes të qytetit brenda në kafene breshëritë u morën jetën dy personave dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë njëra prej tyre kameriere shërbimi. Vrasësi, një i arrestuar dy vite më parë për bashkëpunim në krim por i liruar nga Tualanti apo ndonjë taulant tjetër për të vazhduar punën e tij katër ditë më parë pati një tjetër të vrarë. Shkodrën me qëllim e sundon krimi, bandat, vetëgjyqësia dhe hakmarrja e ndihmuar nga narkoqeveria. Dënoj me forcën më të madhe qëndrimin hakmarrës të Ramaduros ndaj Shkodrës dhe qytetarëve të saj”, shkruan Berisha.
Si pasojë e këtij sulmit kanë mbetur të plagosur Erogen Vaso (shënjestra e atentatit) si dhe kamarieria e lokalit e cila fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.