Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës: Veliaj u denigrua dhe izolua nga bashkëpunëtorët e tij ndër vite

Ilda Zhulali, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka deklaruar këtë mbrëmje në emisionin “Top Story” se Erion Veliaj nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për t’u dëgjuar në mbledhjen e nesërme ku pritet që këshilli të vendosë për fatin e tij.

Ilda Zhulali u shpreh se Erion Veliaj është denigruar politikisht në të gjitha shkallët ndërsa theksoi se ai është izoluar politikisht nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ndër vite.

Zhulali tha më tej se Rama e shkarkoi Veliajn publikisht ndërsa shtoi se ky i fundit gëzon të drejtën për t’u dëgjuar në mbledhje.

“Anëtarëve të Këshillit Bashkiak nuk i është dërguar kërkesë. Ne jemi informuar vetëm në media. Kanë gjykuar që materiali nuk duhet të kalojë fare.

Duhet të kishte sot një urgjencë në mbledhjen e kryesisë. Në rendin e ditës është projektvendimi. Jo pa qëllim po të shikoni përgjigjen e dërguar, nuk mban firmën e zonjës Fino.

Kjo tregon se Veliaj jo vetëm është denigruar politikisht në të gjitha shkallët, por dhe është izoluar politikisht nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ndër vite.”-tha Zhulali.

Kujtojmë se Këshilli Bashkiak i Tiranës i cili nisi procedurat pak ditë më parë, ka parashikuar mbledhje ditën e nesërme për të përcaktuar fatin e Erion Veliajt. Ndërkohë Veliaj pretendon se i është drejtuar këshillit që të marrë pjesë dhe të dëgjohet në mbledhje përpara se të merret një vendim ndaj tij.

Por SPAK, në një reagim për mediat ka bërë me dije se Erion Veliaj nuk ka bërë asnjë kërkesë për leje të posaçme që të marrë pjesë në mbledhje e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT