12,700 dollarë për kamarieren e masakrës së Shkodrës, shqiptarët “shkundin” xhepat: Meri Kacerri në situatë delikate

Meri Kacerri, vetëm 25 vjeç, mbeti e plagosur mëngjesin e 8 shtatorit nga plumbat e bandave kriminale të derdhura me breshëri brenda një lokali plot me njerëz të pafajshëm, mes tyre dhe kamarierja Meri.
Pas ngjarjes tragjike me dy të vdekur e dy të plagosur, Meri u dërgua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë ku dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.
Për shkak të komplikacioneve dhe trajtimit të kushtueshëm, mikja e saj Erjona Ndou hapi një GoFoundMe ku kërkoi nga shqiptarët ndihmë për të grumbulluar në total 10 mijë dollarë.
Në pak ditë, për Merin shqiptarët mblodhën rreth 12 mijë e 800 dollarë, ndërsa GoFound tashmë është mbyllur.
“Ky GoFundMe hapet për Meri Kacerrin, vajzën me quken e saj të bukur dhe buzëqeshjen që i jep dritë çdo ambienti ku hyn.
Kush e njeh motrën dhe vajzën tonë, e di se ajo është vajza që nuk dorëzohet kurrë: punon pa u lodhur, edhe kur trupi nuk e mban më, ajo gjithmonë gjen forcë të qëndrojë në këmbë për të ndihmuar familjen.
Fatkeqësisht, më 8 shtator në Shkodër, Meri u plagos rëndë në masakrën e asaj dite, duke qenë thjesht në vendin e saj të punës, pa asnjë faj. Në një çast, jeta e saj ndryshoi krejtësisht dhe tani ajo ndodhet në një betejë për shëndetin e saj.
Situata është shumë delikate dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore, operacione dhe trajtime që shoqërohen me shpenzime të konsiderueshme, ndaj, me vështirësi të madhe, por me dorën në zemër, ju drejtohemi juve, miqve, të njohurve dhe çdo zemre të mirë që mund të japë një dorë.
Çdo kontribut, sado i vogël, është një hap drejt shpresës, shërimit dhe rikthimit të Merit në jetën e saj të zakonshme.
Mirënjohja jonë është e pafund për çdo mbështetje, qoftë ajo financiare, shpirtërore apo edhe thjesht duke ndarë këtë fushatë me të tjerët. Le ta ndihmojmë të gjithë bashkë Merin që të ngrihet përsëri në këmbë”, shkruante Erjona.